Një automjet u dogj mbrëmjen e së shtunes në fshatin Grudë të Shkodrës. Flakët e zjarrit shkrumbuan automjetin pa targa dhe numër shasie të hequr.
Ngjarja u regjistrua në oret e vona te mbrëmjes në një rrugë dytësore, ndërsa dyshimet e para jane për një zjarr të qëllimshëm.
Pas shuarjes së flakëve nga ana e shërbimit zjarrfikës, grupi hetimor në policinë e Shkodres nisi punën për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Nga verifikimet e policisë rezulton se kjo makinë është braktisur nga persona ende të paidentifikuar dhe më pas është djegur me benzinë duke u shkrumbuar plotësisht.
Grupi hetimor është duke bërë këqyrjen e automjetit nëse mund të gjejë numrin e shasisë të automjetit në pjesë të tjera për të arritur identifikimin se kush e ka patur në pronësi.
Deri më tani mbetet e paqartë ngjarja ne fjalë dhe kujt i përket automjeti.
Forcat e policisë po hetojnë çdo pistë të mundshme, si dhe nëse kjo makinë është përdorur ne ngjarje kriminale.
Ndërkohë një ditë më parë u përfshi nga flakët një tjetër automjet që i përket një punonjësi policie i cili ka afro një vit që ka nisur punën me uniformat blu.
Edhe kjo ngjarje rezulton e qëllimshme pasi në pamjet e kamerave të sigurisë rezulton një shtetas që i vë flakën mjetit në fjalë.
Përveç djegieve, në 24 orët e fundit në Shkodër ka ndodhur një tjetër ngjarje.
Një automjet tip Range Rover u tentua të vidhet. Autorët kanë thyer xhamin dhe kanë hequr sistemin e alarmit por nuk kanë arritur që ta ndezin automjetin dhe pasi ka dalë i pronari i makinës nga shtëpia janë larguar me shpejtësi pa lënë gjurmë. Policia po heton edhe këtë ngjarje për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të saj.
/a.r