Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi sot një takim me Komisionerin e BE-së për Migrimin, Punët e Brendshme dhe Qytetarinë, Dimitris Avramopoulos.
Në fokus të takimit ishte kriza migratore, bashkëpunimi me BE-në në çështjet e sigurisë dhe perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ministri Bushati shprehu edhe një herë angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar në përballimin e krizës migratore në kuadrin e një zgjidhjeje të bashkërenduar evropiane dhe në përputhje me kapacitetet e vendit, duke shmangur veprimet e njëanshme që nuk pajtohen me angazhimin për një zgjidhje të përbashkët dhe të qëndrueshme.
Në këtë kuadër, Ministri Bushati theksoi nevojën për koordinim përpjekjesh dhe forcim të mëtejshëm të partneritetit strategjik të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, për përballimin e sfidave të krizës migratore bashkërisht. Ky partneritet strategjik, nënvizoi Bushati, duhet të përfshijë një dialog të përforcuar politik, pjesë e të cilit duhet të jetë edhe perspektiva evropiane e vendeve të rajonit tonë.
Ministri Bushati u ndal në bashkëpunimin e ngushtë që ekziston me Italinë, agjensitë e specializuara të BE-së e Kombeve të Bashkuara, si tregues i qartë i angazhimit aktiv e koherent të vendit për të parandaluar flukset e pakontrolluara të emigrantëve dhe trafikimin e tyre.
Komisioneri Avramopoulos vlerësoi gatishmërinë e Shqipërisë kontribuar në përballimin e krizës migratore, si dhe evidentoi nevojën urgjente për zgjidhjen e saj përmes një qasjeje të përbashkët evropiane, duke përdorur të gjitha mjetet e nevojshme politike dhe financiare në dispozicion. Ai shprehu mbështetje për përforcimin e partneritetit strategjik me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu, Avramopoulos shprehu vlerësim pozitiv për progresin e Shqipërisë në procesin e reformave që lidhen me sundimin e ligjit dhe integrimin evropian të vendit, duke nënvizuar se ky është një moment i mirë për vendin tonë për të avancuar më shumë drejt Bashkimit Evropian.
Lidhur me çështjet e sigurisë, palët ndanë idenë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të Shqipërisë me EUROPOL. / ATSH