Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në PD, Edvin Kulluri është shprehur se çështja e ish-kryeministrit Sali Berisha nuk është një çështje që i intereson publikut, por vetëm mbështetësve të tij.
Kulluri tha se populli opozitar është më i madh se Berisha dhe ky i fundit nuk duhet të kërkojë të vendosë vetë për gjithçka.
Ai tha gjithashtu se bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore i takon Partisë Demokratike dhe për sa kohë kjo forcë politike drejtohet nga Lulzim Basha, atëherë Enkelejd Alibeajt nuk mund t’i hiqet kjo e drejtë.
“Komisioni i Reformës Zgjedhore është bërë gjithmonë me miratimin e Kuvendit. Pra Komisioni bashkëdrejtohet nga PS dhe PD. Përderisa PD drejtohet nga Basha, nuk ka rrugë tjetër. Këta nesër ikin dhe futen te Partia e Nard Ndokës.
Pra kë pyetën këta deputetë në kohën që u votuan? Ata shumicën në komisione e kanë. Kjo ka të bëjë me egon e sëmurë të Berishës për të vënë ai shumicën kudo. Parlament nuk ka po nuk është Berisha dakord, se ai prish seancën.
Po sulmet që i bënte Yuri Kim ne ia kemi fajin? Gjyqin ndaj Blinken, luftën që i hapi OKB, BE-së, OSBE-së, ne ia kemi fajin? Berisha nuk është një çështje që i intereson publikut, por mbështetësve që ai ka. Kjo nuk implikon PD, nuk implikon popullin opozitar. Populli opozitar është më i madh se Berisha”, tha Kulluri në Euronews Albania.
/a.d