Nga Ben Andoni
Romani “Ngjyra e Zymbylit të Kaltër” vjen nga autori i një vendi të vogël dhe i takon atyre librave që pas thjeshtësisë në dukje sjell historinë e plotë të një vendi. Cili nuk njeh Qipron dhe nuk di më shumë për shtresëzimet sociale dhe ngjarjet historike, të cilat pak dekada më parë, ishin kryelajme botërore, ky roman merr përsipër t’ia japë dorën përmes Christos Hatzipapas dhe madje ti bëjë një ekskursion të plotë. Libri i botuar shumë kohë më parë në origjinal është sjellë pak kohë më parë nga “Toena” nën punën e përkthyesit të saj, Kristo Pulla, një kontributor i hershëm i përkthimeve nga gjuha greke.
Duket se zgjidhja ka qenë e zgjuar për të dhënë një realitet, por edhe për të përcjellë projeksione, për të cilat edhe vendi ynë nuk është larg tashmë prej zhvillimeve në Ballkan. Në fakt, për njerëzit e letërsisë, ky libër tregon se deri ku mund të arrijë letërsia me fuqinë e abstragimit dhe sidomos rrëfimit të saktë, që deridiku merr dhe peshën e letërsisë dokumentare historike. Përmes figurës së Petros, njërit prej personazheve kryesore të saj, t’i nisesh në një rrugëtim në invers me atë që ndodh në ishullin me aq histori të madhe qysh prej Antikitetit. Metafora e titullit zbërthehet në anën tjetër: Lulet e zymbylit, që nga Greqia e lashtë, konsideroheshin si simbol i rinisë dhe rilindjes, por përfaqësonin gjithashtu një dëshirë për paqe dhe harmoni të brendshme, në këtë libër na tregojnë një rrugëtim krejt tjetër dhe ëndrrën për ta prekur e zbërthyer këtë figurinë artistike. Ky element mundohet të jepet zgjuarsisht nga autori përmes personazheve tona, por jeta nuk ua jep me dot këtë mundësi, sepse ata janë protagonistë të kohëve të ndryshme, nga bjerradita deri tek ëndrrat, dashuritë dhe kujtesa, që përshkon historinë e ishullit. “Me sa duket edhe ëndrrat ndihmojnë ndonjëherë njeriun për të gjetur një vrimë që të hidhet jashtëasaj ku është futur”, shkruan Hatzipapas. Petro, personazhi kryesor dhe figurat e tjera do të humbin pak e nga pak dlirësinë e jetës sepse nuk po kuptojnë se për ishullin po vinë re të zeza. Sotiri, që është vazhdimisht dyshues e përjeton sipas mënyrës së tij. Të tjerët në forma e mënyra të ndryshme, por të gjithë janë personazhe në një skenë që pret premierën e dhimbshme. Përmes rrëfimit të personazheve myslimane, lexuesi kupton se çfarë po përgatitet nga ana tjetër. “Urimin e ndarjes e përsërisnin më vonë politikanët turq sa herë bashkë me urimet e vërteta historike”, shprehet Hasani, një personazh tjetër. Ndërkohë, si një moment orientimi në vepër jepet momenti, kur në 1962 u vranë, në të njëjtën natë prej T.M.T-së, dy botuesit e një gazete, që mbështesnin bashkekzistencën paqësore midis greko-qipriotëve dhe turko-qipriotëve, një aspiratë që edhe sot mbetet e largët. Ky është një cak i fundit i përpjekjeve. Por, Hatzipapas tenton sërish dhe e liron romanin, kur na jep personazhet në momentet e tyre më të mira, përmes një kompozicioni jo të lehtë të veprës, por më shumë se kaq përpjekës për të nxjerrë estetikisht një vepër të mirë. Duket se ka tre gjëra që e bëjnë kureshtar një lexues të kujdesshëm, që do të mësojë më shumë, e para është linja e fabulës së Petros dhe miqve të tij; e dyta ajo historike që lidhet me ishullin dhe historinë; dhe e treta vetë metafora, në vetvete. Petroja, oficer në ushtri, fshatar, i padjallëzuar dhe paksa naiv, i plotësonte kushtet për të qenë ‘atashe i djathtë’ dhe për më tepër, nuk e harronte, që megjithëse nxënës i shkëlqyer, siç e përshkruan autori nuk ka fat, dhe befas vjen një moment e një pike kufindarëse, që ishte mosha e tij njëzetë-e- tre-vjeç jo si numër por si thelb i koncentruar i jetës paçka se kjo i rrezikoi jetën dhe të themi se njësoj si ai, të gjithë kanë pikë-kthesat e tyre.” Le të supozojmë se jeta e njeriut është e ndarë në dy pjesë nga një pikë kufindarëse. Kjo pikë, në të cilën është e varur një sferë me gogla lotarie, nuk ka asnjë lidhje me moshën – në të tridhjetat, në të dyzetat. Për Hesiodin ishte momenti kur kulloste lopët dhe i erdhën muzat, që i kumtuan blatimin se ‘mund të gënjejmë, por edhe të themi të vërtetën’, i thanë dhe i dhanë degën e dafinës, duke e kurorëzuar poet. Kështu që ai mundi të transmetonte deri tek ne prejardhjen e zotave. Për Apostullin Pavël ishte dita që e goditi rrufeja, duke ecur rrugës për Damask…”.
Është e pamundur për një autor, që vjen nga këto zona dhe të mos e përdorë antikitetin, por në vetvete, kjo e ndihmon për të dhënë më shumë tragjedinë e këtyre banorëve që jetonin bashkë dhe befas u ndanë. Veçse, historia ka shkuar shumë tejet dhe këtë e shikon para syve vetë Petro: “Ngjarja me blerjen e armëve ishte e freskët. Një milion lira dhe madje jo nga buxheti i shtetit, për arsye të kuptueshme i pagoi Kryepeshkopata. Për mbrojtjen e shtetit. Po përse? Sigurisht, përderisa Garda Kombëtare jo vetëm që nuk i ofronte mbrojtje, por përkundrazi, po i hapte varrin”. Në pamje të parë kemi një lloj lineariteti, por ngadalë lexuesi bëhet njësh me atë humnerë që shfaqet për personazhet tona, që tashmë i nënshtrohen një dështimi dhe merr fundit euforia moskokëçarëse. Personazhet tona, tashmë s’janë më të rinj, Petro dhe Kulla tashmë janë në dimensione të tjera, kurse historia ka marrë shtjellën e saj. Duhen thënë fjalët më të mira për përkthimin e Pullës, që di të përshtatë mirë regjistrat shqip të narracionit dhe mbi të gjitha, përcjelljen e saktë të një vepre, që duhet të vlerësohet për mesazhet e saj dhe mbi të gjitha dëshminë historike. Tek e fundit, çdo një nga ne, që jeton në shekullin XXI mund të jetë përballë kësaj situate.