Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ripërsëriti edhe sot qëndrimin e tij se Kodi penal duhet rishkruar nga fillimi. Ai kërkoi dhe reformë të procedurës penale.
Gjatë Konferencës së tretë Kombëtare të së drejtës Penale të organizuar nga Shoqata Avokateve Penaliste te Shqiperise, SHAPSH Ministri Manjani tha se drejtësia penale ka shumë probleme. “Më duhet të konstatojë sëbashku me ju, si pjesë e këtij sistemit që drejtësia penale ka probleme. Ka defekte dhe kjo jo për shkak vetëm të njerëzve, por të një sërë procedurave dhe vetë kodit penal”, tha Manjani.
Salla e gjyqit dhe avokatët duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, vijoi Manjani. “Ministri Drejtësisë nuk jep drejtësi, jep shërbime. Ai i ofron qytetarëve mundësi për të qenë pranë drejtësisë, por nuk merr vendime gjyqësore. Sistemi penitenciar sot ka kakofoni mendimesh. Kështu një person për të cilin ka prova të cilat e gozhdojnë atë, atëherë ai duhet dënuar dhe mbajtur në qeli, ndërkohë për dikë që këto provat nuk gozhdojnë dikë, atëherë nuk duhen mbipopulluar paraburgimet. Sot ne dënojmë me kohë të ndryshme burgimi persona që kanë kryer vepra të ngjashme penale. Shikoni këtu ç’bëhet me armëmbajtjen pa leje. Gjyqtarët vlerësojnë sipas rastit dhe japin vendime të ndryshme. Jam dakord për të forcuar dënimet, por në krahun tjetër kemi jetën e qytetarët. Prandaj them se duhet një reformë e gjerë në kodin penal, duhet rishkruar dhe duhet që rishkrimi I këtyre ligjeve të kenë sens logjik e të kuptohet qartë nga të gjithë qytetarët, e jo më juristët. Duhet që ligjet të kuptohen dhe të interpretohen nga të gjithë njësojë, si nga qytetarit ashtu dhe nga gjykatësi, duke përfshirë të gjitha hallkat”, tha Manjani.
Ai tha se nëse një person arrestohet për armëmbajtje pa leje duhet çuar menjëherë në gjykatë dhe jo të zvarriten çështjet. “Duhet rishikim edhe të procedurës penale. Nuk duhen mbajtur njerëzit pa fund në dhomat paraburgimit, ku ka mbipopullim dhe kosto të larta. Qytetari që kapet me armë në duar, flagrancë, atëherë një orë e më parë në gjyq dhe menjëherë në vendim, në të kundërt mos të policia gjykatë e të mbaj në burg njerëz, kur gjykata nuk vendos”, tha Manjani.
Ministri Drejtësisë tha se Gjykatat dhe avokatët duhet të kenë parasysh dhe rastet e veçanta, si gratë e fëmijët, apo një rast specifik, që mund të trajtohet edhe nga shërbimi provës, apo dënime të tjera alternative. Drejtësia Penale: Më duhet të konstatojë sëbashku me ju se drejtësia penale ka probleme. Nuk është aty ku duhet. Sot në sistemin penitenciar shqiptarë ka probleme, jo vetëm nga njerëzit, por në tërësi ka defekte. Vetëm tek çështja e armëmbajtjes pa leje ka kakaofoni.