Nga Mero Baze
Debati rreth Reformës zgjedhore mes grupit të Berishës dhe shumicës në pushtet, deri më tani nuk është debat për ndonjë ide apo propozim, por vetëm për vendin e bashkëkryetarit të Komisionit, të cilin e mban PD zyrtare për shkak se kështu kanë rënë dakord kur është ngritur.
Pra Komisioni bllokohet, puna e komisionit pengohet, jo se opozita ka diçka që nuk e pranon shumica apo OSBE, por se do ta përdor Komisionin si një ishull ku të shkarkojë mbeturinat e PD, të mbetura rrugëve.
Në këtë rast e kërkon si një vend pune për Bylykbashin apo Gazmend Bardhin, që të demonstrojnë epërsitë politike të tyre ndaj Bashës por jo idetë për reformën zgjedhore.
Për hirë të së vërtetës, nga të tri grupet, ai i PS, ai i PD së Bashës dhe ai i opozitarëve të Berishës, vetëm Lulzim Basha ka një propozim konkret për Reformën zgjedhore që pritet të diskutohet dhe nga ekspertiza e OSBE e ofruar për këtë reformë.
Socialistët natyrisht kanë objektiva të tyre në këtë reformë, dhe do ti përshtatin ato në funksion të krijimit të një shumice me opozitën. Por derisa opozitarët e Berishës e duan reformën si shkak për të mposhtur Bashën dhe të dëshmojnë se janë ata të preferuarit e shumicës, nuk ka gjasa që ata të konsiderohen partnerë për reformën zgjedhore.
Propozimet e tyre po, por ata nuk kanë të tilla. Në këtë betejë ata nuk kanë propozime, por kanë vetëm strategji se si ata përdorin këtë proces konsesual, për të prishur konsensusin. Në thelb reforma zgjedhore, do të propozohet nga OSBE do të monitorohet prej tyre dhe do të kërkojë një aprovim dhe më të gjerë ndërkombëtarar se sa vet PS, apo Basha, dhe në këtë pikë, nuk ka asnjë rrezik të cenohen, as propozimet e opozitës së Berishës.
Por problemi që ata kanë është se ata duan të bëhen partnerë të Edi Ramës në këtë reformë, duke shantazhuar dhe akuzuar Lulzim Bashën se nëse mbetet ai partner i Edi Ramës është i shitur, nëse shkojnë ata janë në rregull.
Pra ëndrra e tyre është që ata të jenë në krah të Edi Ramës dhe pastaj ti thonë Lulzim Bashës, që të mundëm, ta morëm Edi Ramën. Pak a shumë si sherr gjimnazistesh, që kapen për flokësh për dashuri platonike.
Të qart se nuk do tua hap askush rrugë, ata me sherrin për reformën zgjedhore po përgatisin alibinë e Berishës për 2025, kur ai të katandiset me një grusht votash, duke thënë se na i morëm votat me reformë zgjedhore.
E thënë më shkurt ata duan që të mos bëhet fare reformë zgjedhore, që Berisha ta ketë një alibi pse e katandisi opozitën e tij me një grusht votash.
Por problemi që ata kanë është, se edhe reformë do të ketë, edhe Berisha do të humbas, edhe ata nuk do të jenë më askush një ditë pas zgjedhjeve që vijnë. Deri atëherë mund të argëtohen duke luajtur me gaz lotsjellës apo bilbila në parlament. Ky do jetë imazhi i fundit që njerëzit do kenë për ta në karrierën politike. Është e vemja gjë që kanë ditur të bëjnë në politikë dhe në jetë.