Bashkimi Evropian ka përsëritur se nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia. Moska ka aneksuar Krimenë nga Ukraina në mars të vitit 2014. Në një deklaratë të lëshuar sot, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se blloku 28-anëtarësh “vazhdon të dënojë këtë shkelje të ligjit ndërkombëtar”.
Mogherini po ashtu ka shprehur shqetësimin e BE-së për praninë e madhe ushtarake dhe për përkeqësimin e situatës së të drejtave të njeriut në Krime.
Deklarata e BE-së bën thirrje edhe për lirimin e regjisorit ukrainas, Oleh Sentsov, i cili është arrestuar në Krime në maj të vitit 2014 dhe është dënuar në gusht të vitit të kaluar me 20 vjet burgim, për akuza që lidhen me terrorizëm.
BE kërkon edhe lirimin e Oleksandr Kolchenkos, një aktivist i dënuar me 10 vjet burgim nga autoritetet e Krimesë, që gëzojnë mbështetjen e Rusisë.