Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja thotë se disa nga deputetët e opozitës kanë qenë ndër nxitësit kryesorë, që ai, në postin e ministrit, të shpejtonte bërjen e ligjit të amnistisë penale.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Manja u shpreh se mund të bëhen 84 votat për ta kaluar amnistinë penale në Kuvend.
Manja shtoi se opozita duhet ta votojë ligjin për amistinë penale dhe se nuk duhet ta kushtëzojë votën për agjendën e saj politike, apo për emra të caktuar.
“Deputetë të opozitës kanë qenë, ndoshta nga nxitësit kryesorë që unë si ministër Drejtësie, të shpejtoj bërjen e ligjit të amnistisë. Unë them që do të bëhen votat për amnistinë penale, sepse di që ka shumë kolegë në radhët e opozitës, që e dinë rëndësinë e kësaj amnistie dhe impaktin që përcjell në zona, te qytetarë, te familjet e margjinalizuara. Unë mendoj që, padiskutim opozita ka agjendën e saj politike, por duhet t’i bashkohet mazhorancës në këtë nismë, ta votojmë ligjin e amnistisë dhe sigurisht pastaj, t’i vazhdojë agjendat e veta politike. Por kjo, unë mendoj që e nderon opozitën, vota për amnistinë. Nuk mundet, është gjëja më e pandershme të kondicionosh votën për një ligj amnistie, për një agjendë të caktuar politike, apo për emra të caktuar.
Diskutimi i këtij projektligji ka filluar në Komisionin e Sigurisë, ka kaluar në parim, pastaj do të jetë në Komisionin e Ligjeve. Opozita ka çfarë kërkon në këtë ligj, mund të gjenden pikat e dakordësisë për këtë ligj amnistie, por nuk duhet ta kondicionojë dhe ta personalizojë për emra konkretë, apo për vepra penale konkrete”, theksoi ai.
/a.d