Përfituesit e ndihmës ekonomike në Tiranë, Durrës dhe Elbasan do të duhet të plotësojnë dhe një formular të ri, në mënyrë që të përfitojnë pagesat. Bëhet fjalë për formularin e verifikimit të situatës social-ekonomike, i cili përcaktohet në një Vendim të Këshillit të Ministrave, më datë 09.03.2016. Ai do të duhet të plotësohet nga familjet që futen për herë të parë në skemë, ndërkohë që për familjet ekzistuese do të duhet të plotësohet çdo 6 muaj apo thënë ndryshe dy herë në vit.
Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” zbardh sot dokumentin e plotë, së bashku me të dhënat që duhet të raportohen. Përveç informacioneve personale të familjes përfituese, ndër kategoritë që përbën dokumenti i ri përfshihen të dhënat për banesën, ujin, dritat, gazin dhe mallrat e qëndrueshëm. Tek tipi i banesës përfshihet numri i dhomave, ballkoneve, tarracave, ashensorit etj.
Po ashtu, duhet të raportohet edhe fakti nëse ajo ka matësin e energjisë, burimin e ngrohjes, si dhe të gjitha asetet ku përfshihen: TV, frigoriferi, lavatriçja, mikrovala, kaloriferi, bojleri, makina qepëse, biçikleta, autovetura, etj. Po ashtu familjarët duhet të raportojnë edhe faktin nëse disponojnë apo jo gjë të gjallë si: lopë, derra, dele, kuaj, etj, dhe sasinë përkatëse.
Gjithashtu, sipas formularit nevojitet dhe një përshkrim i shkurtër i nivelit të jetesës së aplikantit. REFUZIMI Ndërkaq, një tjetër pikë e re që i është shtuar vendimit të mëparshëm ka të bëjë me refuzimin e ndihmës ekonomike. Sipas tij, do të përjashtohen nga përfitimi familjet, të cilat kanë në përbërje të tyre edhe një anëtar të vetëm, i cili bën deklarim të rremë apo për mosdeklarimin e ndryshimeve të situatës social-ekonomike në deklaratën e paraqitjes çdo tre muaj të familjes.
Ndërkohë që, ashtu sikurse ishte përcaktuar deri më tani, refuzimi i ndihmës bëhej edhe në rastet e një ndarjeje të qëllimshme të anëtarëve të familjes si dhe për moslejimin e verifikimit të situatës sociale-ekonomike në familje, edhe pas njoftimit të dytë nga ana e administratorit shoqëror. Në Tiranë, Elbasan dhe Durrës është duke u pilotuar skema e re e ndihmës ekonomike, sipas të cilës përfituesit zgjidhen elektronikisht mbi bazën e formulës së pikëzimit./GSH