Teksa qarku i Korçës po përballet me reshje intensive bore, trashësia e saj ka shkuar nga 25 deri në 50 cm. Gazetarja Lorena Kodra raporton për BalkanWeb se edhe përgjatë natës reshjet e borës kanë qenë me intensitet të lartë, shoqëruar dhe nga era e fortë. Mësohet se në rrugës e Rruga e Dardhës trashësia e dëborës ka shkuar 50 cm.
Ndërkohë temperaturat minimale gjate natës kane qenë shumë të ulta, deri në – 6, ndërsa aktualisht termometri shënon -2. Për pastrimin e rrugëve nga bora dhe kriposjen e tyre autoritetet kanë punuar pa pushim në të gjitha akset. Raportohet se në aksin Korçë-Ersekë kanë punuar 5 borëpastruese, në aksin Korçe-Dardhë 3 borepastruese dhe në aksin Korçe -Voskopojë 2. Aktualisht po punohet për të hapur rrugët e brendshme në fshatin turistik të Voskopojës, ndërsa rrugët lidhëse me Gjançin dhe Lubonjën, janë hapur dhe kalohen me zinxhirë. Sakaq, në majën e Mashkullorës bora ka arritur në mbi një metër trashësi dhe po punohet për hapjen e rrugës.
Gjithashtu po pastrohen rrugët e brendshme në njësitë e ulëta, konkretisht në Bulgarec dhe Ciflig. Ndërkohë sipas informacioneve të gjitha akset janë të hapura dhe nuk ka pasur probleme ne qarkullim, ndërsa për drejtuesit e mjeteve rekomandohet të përdorin goma dimërore, të pajisen me zinxhirë dhe të reduktojnë shpejtësinë kur kalohet në zona me deborë. Sa i përket mungesës së energjisë elektrike janë rreth 1700 abonentë në zona të ndryshme të fshatrave të thellë malorë. Përmendim këtu fshatrat; Çlirim, Panarit, Grabockë, Treskë, Mollas, Podgozhan, Jollë, Homezh, Trebinjë, Çezmë, Lekas, Senisht, Zvarisht, Tresovë, Novoselë.
/a.d