Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë ka shkaktuar problematika në rrugët në vend. Në qarkun Kukës, të gjitha rrugët nacionale kanë qenë nën trysninë e rënies së gurëve, inerteve dhe dherave, si dhe dalje të ujërave në rrugë.
Problematika më të theksuara kanë qenë në akset Kukës Shishtavec, B.Curri-Valbonë, Dushaj- Lekbibaj dhe Sopot-Kam Tropojë.
Nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna gjatë gjithë kohës për pastrimin, duke bërë të mundur që rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht.
Ndërsa në bashkinë Tropojë, ka patur prurje të mëdha të përrenjve dhe lumenjve të cilat kanë vërshuar në rrugë, objekte dhe tokave bujqësore. Probleme janë konstatuar tek rezervuari në fshatin Zherkë njësia administrative Bytyq. Fatmirësisht nuk janë konstatuar problematika në furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
Edhe në akset Hani Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth gjatë natës ka patur rënie inertesh dhe gurësh. Po ashtu, rrëshqitje gurësh ka patur edhe në rrugët e Pukës dhe Fushe Arrësit.
Problematika janë konstatuar edhe në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, ndërsa rrëshqitje masive të dheut dhe gurëve ka pasur në Murrash.
Mësohet se nga shembja e shumtë e gurëve është këputur rrjeta mbajtëse. Po punohet për hapjen e rrugës. Policia ka qenë gjatë natës për të mundësuar dhe mbajtur të hapur aksin rrugor.
/a.r