Dikush duhet t’ua thotë kësaj bande rebelësh të yshtur nga Sali Berisha që po e tejkalojnë vijën e kuqe. Uria e tyre e dëshpëruar për pushtet nuk e justifikon dhunën verbale dhe fizike që shfaqet përditë e më shumë në veprimet që kryejnë. Dikush duhet t’ja shpjegojë kësaj bande rebelësh se një opozitë e vërtetë respekton institucionet pikërisht sepse pretendon që një ditë të marrë kontrollin dhe drejtimin e tyre. Dikush duhet t’ua thotë atyre se të linçojnë publikisht gazetarë, gjykatës, prokurorë dhe tani edhe Kreun e Shtetit, fajtorë vetëm se nuk e mendojnë si ata, i flak jashtë demokracisë dhe i vendos në rrethin e ferrit të forcave antikushtetuese. Ç’opozitë është një grup deputetësh që sulmon fizikisht një deputete po të opozitës si Flutura Açka, vetëm se ka vendosur të pranojë dialogun me shumicën duke shpresuar të arrihet një kompromis per reformën zgjedhore? Ç’opozitë është një grup deputetësh që sulmojnë verbalisht presidentin e republikës Bajram Begaj vetëm se dekretoi një ligj mbi komisionet hetimore parlamentare që ata nuk e votuan?
Këta të Rithemelimit nuk kanë qenë kurrë një parti dhe tani nuk janë as edhe një fraksion politik: Janë vetëm një grup rebelësh që nuk njohin asnjë institucion dhe përpiqen të rrëzojnë pushtetin me kërcënime dhe me dhunë për të liruar komandantin e tyre të ndaluar për korrupsion. Kur ishte president i republikës, Sali Berisha, shkeli Kushtetutën duke qëndruar në të njëjtën kohë anëtar i partisë së mazhorancës e duke udhëhequr në të njëjtën kohë presidencën, qeverinë dhe parlamentin. Një puç i vërtetë institucional që zgjati 5 vite dhe i mbështetur nga të njëjtët deputetë rebelë që sot i mohojnë presidentit Begaj të drejtën të ushtrojë detyrimet e tij normale institucionale. Domethënë të dekretojë një ligj që mund të mos dekretohet vetëm nëse shkel Kushtetutën. Berisha nuk e kishte këtë problem sepse ai dekretonte propozime nga qeveria që drejtonte, të votuara nga parlamenti që i bindej urdhrave të tij partiake.
Ilir Meta nuk ishte puçist si Berisha, por edhe ai qëndroi përgjatë gjithë mandatit në presidencë kryetar partie duke mos u bërë kurrë kryetar Shteti. Prandaj kthente mbrapsht ligje vetëm për t’ju bindur strategjive të opozitës dhe jo se shkelnin kushtetutën, ndaj Berishës kjo i pëlqente, sepse opozitën e drejtonte ai, edhe kur e udhëhiqte Lulzim Basha.
Ndërkohë epoka e Berishës dhe e Metës më në fund mori fund. Duke sjellë në mendje presidentë të tjerë “normalë” siç ishin Moisiu, Meidani apo edhe Nishani, tani i takon Bajram Begajt të jetë ndoshta presidenti më president nga të gjithë. Larg lojrave të partisë, gati i padukshëm siç duhet të jetë një kryetar Shteti, është i pranishëm vetëm kur nevojitet. Për Berishën dhe bandën e tij të rebelëve, kjo është e papranueshme. Prandaj, për këtë arsye e linçojnë verbalisht dhe e barazojnë me një kriminel siç bëjnë me këdo që nuk bën pjesë në klanin e tyre të dëshpëruar. Harrojnë që Presidenti i Republikës nuk është një person, një individ, por një institucion. Por për rebelët e Berishës, institucionet nuk ekzistojnë më, nuk ekziston etika dhe as respekti për dinjitetin njerëzor. Problemi i vërtetë është se në këtë pikë pushtetin duhet ta marrin me forcë nëse ja dalin, se për t’i votuar, nuk kanë më asnjë qytetar./shqiptarja.com