Nga Mero Baze
Ka një qasje të sinqertë në reagimin e Flamur Nokës apo Gazment Bardhit, pas përplasjes së shëmtuar me Flutura Açkën në komision. Ata nuk janë të shqetësuar pse janë sjellë si dy cuba ndaj një deputeteje kolege të tyre, por janë të shqetësuar pse Flutura Açka është femër.
Po të dëgjosh justifikimin e Flamurit për sherrin me Açkën, mëson se Lulzim Basha është “përgjegjës për sherrin”, pasi ai po i keqpërdor gratë dhe po i fut në konflikt me dy meshkuj, që sipas tyre, e kanë detyrë të jenë dhunues.
Pra e thënë më thjeshtë, Lulzim Basha tani duhet të kujdeset dhe për cilësinë e viktimave të dhunës.
Fjala vjen, Flamurit t’i çojë si viktimë një mashkull të fortë, që të ketë kuptim triumfi i Flamurit. Nuk di kush i ka ngelur i fortë Lulit akoma, por ky Alibeaj quhet. Mund ta bëjë këtë punë.
Gazment Bardhi akoma nuk i ka bërë publike preferencat se çfarë viktime do, por sidoqoftë dhe ai do një viktimë të denjë për të, ndryshe pastaj e ka fajin Lulzim Basha që nuk i ka gjetur një viktimë të përshtatshme.
Nëse kjo lista e preferencave të dhunuesve, do të vazhdojë më gjatë, Bashës do t’i duhet të përshtatë preferencat e dhunuesve me secilin anëtar të grupit parlamentar që i ka mbetur. Madje duhet të llogarisë dhe veten e vet, se kë meriton që ta dhunojë. Normalisht i bie ta dhunoj Berisha, por ai ëhstë në ballkon hë për hë. Kështu që dhe kjo detyrë i mbetet Flamurit.
Kjo logjikë dhunuesish buron nga mentaliteti i berishizmit, se e drejta e dhunimit është në anën e tyre, kurse viktimat duhen të jenë të denja për çdo dhunues. Ndryshe është faji i tyre. Kështu, Flutura Açka ka dalë viktimë e padenjë, pasi ka qëlluar të jetë femër dhe për këtë është faji i Lulzim Bashës.
E njëjta mendësi shfaqet dhe tek fjalori i foltoristëve të Berishës, kur flasin për kriteret që ata kanë vendosur për t’u quajtur opozitarë. Tani së fundmi kriteri i vetëm është të shkosh tek “Sokaku i të marrëve” poshtë ballkonit të Berishës. Dëgjoja një natë shefin e kabinetit të Berishës që në përpjekje për të sulmuar Tabakun, apo deputetë të Bashës, që pavarësisht se nuk kanë lidhje me njëri- tjetrin, kanë të përbashkët një element “diskreditues”: Ata nuk kanë qenë asnjëherë tek “Sokaku i të marrëve”.
“A ka qenë ndonjëherë Tabaku tek Rrugica? Jo. E pra është me Ramën. A keni qenë ju ndonjë herë tek Rrugica? Jo.
E pra jeni me Ramën.”
Ky autosugjestion i tyre për të justifikuar dhunën si normalitet dhe poshtërimin poshtë ballkonit si dinjitet, kërkon një përgjigje të qartë dhe sfiduese.
E vetmja shenjë dinjiteti në opozitën e sotme është pikërisht të mos përfundosh poshtë ballkonit të Saliut dhe të mos të të duket dhuna ndaj kolegëve të tjerë opozitarë si normalitet.
Duhet sqaruar përfundimisht se njerëzit që shkojnë poshtë ballkonit të Saliut, janë ose qenie të poshtëruara dhe të shkelura me këmbë prej tij, ose budallenj.
Flamuri është i përshtatshëm për të dyja, edhe si budalla, edhe si qenie e poshtëruar, por të tjerët e kanë më të vështirë të justifikohen si budallenj.