Ministri i Brendshëm Taulant Balla ishte sot në Krujë, ku bashkëbisedoi me nxënësit dhe stafin pedagogjik të gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, lidhur me Paketën për Sigurinë në shkolla. Ky është gjimnazi i parë i hapur në Krujë, 68 vjet më parë. Ministri deklaroi se me këtë Paketë, garantohet një nivel tjetër sigurie pranë institucioneve arsimore në të gjithë vendin.
“Drejtoresha e tha, që ndoshta është rastësi e bukur që kemi ardhur këtu në shkollën ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’, në këtë ditë, kur përkujtojmë 556-vjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar. Por nuk është rastësi. Në fakt, ne kemi ardhur sot, këtu, në kuadër të zbatimit të masave të Paketës për Sigurinë në shkolla, për detyrat që i takojnë jo vetëm Policisë së Shtetit, por edhe një sërë institucionesh shtetërore. Pas një semestri të kaluar së bashku përgjatë zbatimit të këtyre masave, mendoj që kemi bërë gjënë e duhur kur morëm këtë vendim.
Rezultatet e deritanishme janë ato që duhet dhe thirrja ime për çdo të ri e çdo të re, por edhe për prindërit tuaj, është që të bashkëpunoni sa më shumë me Policinë e Shtetit. Çdo informacion që vjen nga ju është një shtysë dhe bazë e shëndoshë për të luftuar këdo nga ata që kërkon të bëjë biznes me shëndetin tuaj apo financat e familjes suaj”, tha ministri.
Balla i ftoi të rinjtë të rrinë larg veseve dhe afër aktiviteteve sportive.
“Kjo shkollë që mban emrin e heroit kombëtar, është një shkollë shumë e rëndësishme jo vetëm për Krujën, por për gjithë vendin, nga e cila ndër vite kanë dalë shumë personalitete, jo vetëm të kësaj zone, por të të gjithë vendit. Do ju sugjeroja dhe nxisja jo vetëm rezultate të mira në mësime, por edhe sa më shumë aktivitete sportive dhe gjithçka tjetër, që i largon fëmijët nga veset, problematikat, bullizmi. Kemi tashmë një fenomen tjetër, të cilin duhet ta luftojmë së bashku, që është bullizmi përmes rrjeteve sociale, dhuna seksuale apo dhuna me bazë gjinore, përmes rrjeteve sociale apo përmes instrumenteve të tjera të teknologjisë dixhitale.
Në këtë aspekt, bashkë me mësuesit këtu, të rritim forcën e bashkëveprimit. Ju e keni parë së fundi, Policia e Shtetit ka arritur të identifikojë edhe rastet e dhunës përmes rrjeteve sociale. Jo më larg se para 24 orësh, kemi ndaluar një person, i cili përmes një faqeje ‘fake’ në rrjete sociale, përndiqte dhe sulmonte një shtetase. Unë mendoj që të gjithë e dimë që ky është një problem që ekziston, kështu që në këto raste, ju lutem mos hezitoni që të kontaktoni oficeren e sigurisë, e cila e di fare mirë se kush është protokolli i saj për t’ia referuar çështjen Komisariatit të Policisë dhe më pas, në Drejtorinë e Policisë në Tiranë.
Ne kemi një njësi të posaçme të luftës kundër krimit kibernetik, në mënyrë që të qetësojmë sa më shumë shpirtrat e atyre që janë target i dhunës, por edhe familjet tuaja të cilat shqetësohen sa herë që ndodhin ngjarje të tilla”, – nënvizoi Balla.
Nxënësit falënderuan autoritetet për Paketën e Sigurisë, si dhe për rritjen e sigurisë në qytet.
“Dua të shpreh dëshirën time, që pasi të mbaroj gjimnazin, të ndjek Fakultetin e Sigurisë”, – tha një prej tyre.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi se Paketa për Sigurisë në shkolla është një ndër prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit.
“Në raport me të gjitha problematikat që ka patur rrethi dhe qarku juaj, si Krujë, mendoj që kemi sjellë stafin më të mirë dhe çështjet e rendit dhe të sigurisë jo vetëm në shkolla, por në të gjithë territorin, të shkojnë në nivelin e duhur të sigurisë. Absolutisht ne jemi në nismat ligjore të përafrimit të të gjithë kontigjentit të brezit të ri që mbarojnë shkollën e mesme, për të konkurruar për nivelin e oficerit pranë Akademisë së Sigurisë. Kështu që ju jeni të mirëseardhur, jo vetëm ju, por edhe të tjerë, edhe vajzat, të cilat kërkojnë të konkurrojnë pranë Akademisë së Sigurisë”, – u shpreh Rrumbullaku.
Ai informoi se Akademia e Sigurisë, paralelisht me çeljen e konkurrimit për të vazhduar studimet e larta në qershor-korrik të vitit 2024, do të ketë një nga degët e kërkuara nga të rinjtë për të studiuar./m.j