Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka lënë në fuqi masën e paraburgimit edhe për dy muaj për ish-krerët e UÇK-së, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në dy vendime të ndara, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka vendosur edhe për afatin se kur ZPS-ja duhet t’i dorëzojë parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës për masën e paraburgimit për dy të akuzuarit.
“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Selimi; dhe b) UDHËZON ZPS-në që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të z. Selimi jo më vonë se e premtja, 23 shkurt 2024 (ora 16:00) me çdo përgjigje dhe përgjigje pas afatit kohor të përcaktuar në Rregullën 76”, thuhet në vendimin e trupit gjykues për vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin.
Ndërsa, për Jakup Krasniqin është vendosur afati kohor deri më 23 shkurt 2024 që ZPS-ja t’i dorëzojë parashtrimet e saj lidhur me shqyrtimin e radhës të paraburgimit.
“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Krasniqi; b) UDHËZON Mbrojtjen Krasniqi që të paraqesë një version publik të redaktuar të Përgjigjes deri të hënën, më 22 janar 2024; c) UDHËZON Regjistrin që të riklasifikojë përgjigjen (F02048) si publike; dhe d) UDHËZON ZPS-në që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të z. Krasniqi jo më vonë se e premtja, 23 shkurt 2024 (ora 16:00), me parashtresat e mëvonshme me shkrim pas afateve kohore të përcaktuara në rregullën 76”, thuhet në vendimin e gjykatës për Jakup Krasniqin.
/f.s