Tre përfaqësues të OSBE-së ndodhen tani në Kryesinë e Kuvendin dhe po zhvillojnë një takim me bashkëkryetarin e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri.
Gazetarja e Vizion Plus, Enkelejda Mema mëson se pas takimit me Gjiknurin, OSBE do të zhvillojë një takim dhe me bashkëkryetarin tjetër, Alibeaj.
Gjithçka ndodh pas letrës së djeshme të Gjiknurit dhe Alibeaj ndaj OSBE-së, ku i kërkuan asistencë për implementimin e ndryshimeve e nevojshme në procesin zgjedhor duke marrë parasysh faktin se mandati i Komisionit përfundon në mars.
Dy janë çështjet kryesore që duhet të trajtojë komisoni: E para lidhet me heqjen e hersit dhe aplikimin e zgjedhjeve me lista të hapura dhe tjetra, gjetja e formave për të mundësuar votën emigrantëve.
Aktualisht jemi pak më shumë se një vit para zgjedhjeve të vitit 2025, ndërkohë që Komisionit i kanë mbetur vetëm pak muaj “jetë”, periudhë brenda së cilës duhet të mbyllë gjithçka duke zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për listat e hapura dhe votën e emigrantëve, krahas sugjerimeve të tjera të OSBE-ODIHR-it për procesin zgjedhor.
/a.r