Ministri i Brendshëm, Taulant Balla theksoi sot se vijon çdo ditë bashkëpunimi i shkëlqyer me Interpol për gjetjen e personave në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Balla përgëzoi Interpol Tirana, e cila në bashkëpunim edhe me njësitë partnere në Itali dhe Greqi, lokalizuan, ndaluan dhe ekstraduan sot në Shqipëri dy persona, pjesëtarë të grupeve kriminale të përfshira në trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.
Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën, është ekstraduar nga Italia, shtetasi Gj. L., 32 vjeç, i i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërsa si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, është ekstraduar nga Greqia, shtetasi A. C., 48 vjeç. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, në vitin 2019, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
/a.r