Viktor Zhusti, Mbreti në fuqi të katërt !
Nga Mimoza Kuchly*
Kur dola nga shfaqja “Mbreti Lir” me regji të Jonida Beqos, në Teatrin Metropol të Tiranës, vura re diçka të veçantë, të paktën për mentalitetin shqiptar:
Tre « spektatorë », (njëri prej tyre aktor i njohur) të cilët u përkulën ose më saktë u gjunjëzuan me respekt përballë atij që nga ajo shfaqje e fundit, po shijonte për herë të fundit titullin “Mbreti Lir”.
Po mendohesha se kujt i përkuleshin me aq nderim, “Mbretit Lir”, aktorit apo Viktor Zhustit, i cili në të vërtetë ishte nën « lëkurën » e të treve !
Kthehem pak në kohë : në muajin maj, në RTSh, u transmetua shfaqja “Mbreti Lir” dhe rastësisht atë pasdite çaji, e ndoqëm pjesë-pjesë me miq francez; ajo çka tërhiqte vëmendjen në plan të parë për të huajt, kuptohet ishin kostumet, dekori, (dhe pse jo aq shekspirian) muzika, e natyrisht vinte interpretimi i aktorëve:
« Vërtet ai aktori amerikan ka luajtur në skenën shqiptare “Mbretin Lir”… ? Hë pra ai i shenjës në faqe.. !» Ishte fjala për Al Paçinon dhe ngjashmëria që ata gjenin me Viktor Zhustin, pavarësisht se flokët dhe mjekra e bardhë i ngatërronte me Antony Hopkins të dy mbretër.
Me një pjesë të tyre e kishim parë shfaqjen në Paris, në Komedinë franceze, me regji të Thomas Ostermeier.
(Sado e çuditshme të duket, por kjo pjesë ishte e panjohur nga publiku parizian deri në gjysmën e parë së shekullit të XX)
Nuk isha e vetmja që dola e zhgënjyer për përshtatjen skenografike të veprës shekspiriane, me ndërthurjen e horoskopit, manifestimet kundra qeverisë makroniane, ndarjen e personazheve, etj.
“Shekspiri nuk fliste as frwngjisht dhe as shqip, por midis Denisit francez dhe Viktorit shqiptar, në vërtetësinë e rolit si dhe më afër skenarit, do të zgjidhte pa ngurim Lirin shqiptar, “C’est Juste,* (është I duhuri) votre Zhusti”, bënin humor miqtë francezë.
Por le të kthehem sërish tek Teatri Metropol:
“Para cilit mbret u përkulën aktorë-spektatorët shqiptarë?:
Nuk do të tregoj historinë e kësaj tragjedie e cila njihet, por le të merrem pak me përbërwsit e saj duke filluar nga mbreti numër një, i cili në skenën e parë, të verbon me shkëlqimin e tij; flokë e mjekërbardhë kuruar mbretërisht, xhaketa fije ari, mbushur me tituj e dekorata,“bastuni” si heshta e Poseidonit, dhe pse i mungonte froni mbretëror në dekor, shfaqet krenar, i fuqishëm, i dashur, i dhembshur, i lumtur, pra mbret!
E shohim tek ndihet akoma më i adhuruar nga vajzat veshur me të bardha, si në parajsë, kur deklaratat e dashurisë së dy të mëdhave, i bëjnë të përfitojnë një pjesë të pasurisë. Papritur i njëjti at flokëbardhë, vështrim dhembshur, buzëqeshje dashamirëse, fjalëmbël, në ato pak momente shpërfytyrohet në një portret egoist; mbret dhe at I vrarë prej zhgënjimit “memec” të së bijës, aq më tepër përballë të të ftuarve, tjetërsohet duke dalë nga vetja, ashpërsohet, egërsohet, deri t’i mohojë gjithçka asaj të cilës i munguan fjalët, por jo dashuria për të.
Mbreti numër dy- krejt ndryshe, tashmë veshur në një xhaketë lëkure, kapele, pagure me alkool, hokatar, si një gjahtar aventurier, apo një djaloshar i shthurur, rrethuar nga shpura e cila e shoqëron tek vajza e madhe, nga ku nis dhe konflikti mes dy bijave dhe mbretit pa kurorë, rrjedhimisht pa fuqi, e fatkeqësisht pa pushtet. Një at që ka humbur gjithçka para vajzave të tij, ngadalë humbet dhe kontrollin e largohet mes furtunës i ndjekur nga shërbëtori besnik dhe një lolo i vetmi që i përplas të vërtetat në sy me budallallëk dhe humor. I çoroditur nga ç’po i ndodhte, trupi dhe shpirti, mendja dhe zemra, gjendet në mes të tufanit, i pafuqishëm si përballë natyrës dhe fatit, më pranë portave të ferrit mes thirrjesh, klithmash, shpërthimesh që sundojnë e sfidojnë dhe zhurmat e shkreptimave e rrufeve.
Mbreti numër tre- mjerimi dhe rënia e një mbreti tashmë gjysmë i zhveshur, i rrjedhur, përpiqet të ngushëllojë mikun e tij të vjetër verbuar nga intrigat dhe planet djallëzore të të birit ilegjitim dhe vajzës së dytë të të zotit.
Një i çmendur, me një kurorë shkurresh në kokë, që përpiqet të mbajë afër vetes, babanë e verbuar, vëllanë e tradhëtuar, lolon e guximshëm, shërbëtorin besnik, ka kuptuar tashmë se gjithçka ndodhi nga ethet për pushtet, etja për të rrëmbyer nga brezat e shkuar atë çka nuk e meritojnë pasardhësit e tyre. Një interpretim i shkëlqyer si në plastikë dhe në energjinë që e tjetërson atin tetëdhjetë vjeçar në një të marrë lozonjar, i cili me humorin e tij të bënte të qaje e të qeshje, në ferrin e tij, ku ai qyqar ndihej mbret.
Mbreti numër katër; përfundimisht kontrasti i portretit atit-hyjni, i një të plotfuqishmi, i cili shfaqet i dobët, i pafuqishëm, në karrigen me rrota nën kujdesin e shërbëtorit dhe vajzës së tretë, e ardhur me ushtrinë franceze ta shpëtojë prej poshtërimit prej dy motrave të saj.
Një at i dërmuar, i përhumbur, zemër copëtuar që zgjohet nga harrimi dhe marrëzia e tij përballë vajzës e cila përpiqet ta risjellë në realitet.
Fjalët dhe ngashërimet e atit-shkaktar, i cili lëndoi dashurinë e pastër të së bijës, e bën të ndihet përgjegjës, por që as në dhimbjen mes lotëve e përgjërimeve, nuk arrin dot të ndryshojë fatin si të dy vajzave që për shkak të kurtheve, xhelozisë dhe babëzisë për pushtet, vriten me njëra-tjetrën dhe as të vetes, si në tragjeditë shekspiriane, jep shpirt mbi kufomën e vajzës së vogël.
Katër mbretër në një aktor; katër mbretër në dy orë shfaqjeje, katër personalitete të cilat transformohen nga shkëlqimi në zbehje, nga një triumfator në viktimë, duke kaluar nga parajsa në ferr i vrarë nga dashuria dhe egoizmi; mbreti-Zhusti që pushton skenën mes emocionesh të fuqishme në rritje e deri në rrënim të plotë, tragjik.
Pas shfaqjes u ndjeva e privilegjuar tek përgëzova aktorët të cilët më lanë mbresa; Viktor Zhusti-mbreti në fuqi të katërt, aktori që jo vetëm sfidoi moshën në skenë, por edhe realizoi me profesionalizëm dhe pasion një mbret që do t’i mbetet kalendarit të Lir-ëve shekspirian, ku fatkeqësisht i mungoi kurora e një çmimi shqiptar, por jo mirënjohja emocionuese e spektatorëve që e ndoqën për dy vite rresht në skenë; Glausteri (Sokol Angjeli)-babai i verbuar i cili me interpretimin e tij edhe jashtë skene dukej se duhej ta ngushëlloje për verbërinë dyfishe; Regana (Armela Demaj)-vajza e dytë me një personalitet të veçantë, e egër, e ëmbël dhe manipuluese në një interpretim admirues; Edmund (Lulzim Zeqja), djali intrigues, aventurier, gjithmonë shpërthyes, pa lënë mënjanë Roerd Toçe dhe Marius Dhrami.
Pas interpretimit të Lir-it-Viktor, e kuptova përse Komedia franceze kishte nguruar ta vinte në skenë deri pak muaj më parë, Mbretin shekspirian, (që nuk është veçse një sprovë e vërtetë për aktorët e moshës së tretë), si dhe zhgënjimin e artdashësve jo vetëm parizianë, kur e panë të vrarë dy herë mbretin e gjorë, të cilit këtë herë i shtohej skenari që i qëndronte kaq larg një tradite të kahershme e cila u ka rezistuar kohërave, por jo fantazive të shekullit tonë !
« Ishte torturë, dashuri, çmenduri pa cak ! » – thotë Zhusti për kohën e mbretit, dhe spektatorit kjo i mjafton.
Faleminderit për kënaqësinë trupës së Teatrit Metropol dhe pse “Mbreti vdiq !”, por ne do të themi, “Rroftë mbreti !”
*Shkrimtare