Pas akuzave të Berishës dhe largimit të opozitës nga seanca parlamentare, ka patur një reagim të deputetit socialist Taulant Balla, i cili tha se ish kryeministri është përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, pasi sipas tij ka dokumente të reja që e implikojnë atë edhe më shumë.
“Ik Sali, merri me vete të gjithë, sepse arsyeja është e njëjtë. Përsa kohë nuk bëhet reforma në drejtësi, kryekusari Sali Berisha ka shumë të drejtë të shpifë e të hedhë baltë pa fund… Publikut i janë vënë në dispozicion nga mediat dokumente që e lidhnin këtë kriminel me biznesin vrasës të Gërdecit.
Këtu kam gjithë dokumentacionin e plotë të vendimit të Këshillit të Ministrave, të procesverbaleve të KM, me të cilat Berisha ushqente fabrikën e vdekjes. Ja çfarë thoshte Berisha në një mbledhje, kur e kundërshtonin Bode dhe Rusmali: “hajde, ta marrim pak me qetësi këtë problem, se duhet ta zgjidhim këtë punë”.
Pastaj ai vazhdon me presionet e veta për t’i dhënë djalit të tij municionin për të hedhur në erë një fshat të tërë. Të gjitha këto dokumenta janë publike, një pjesë e ka prokuroria, por ende as Shkëlzeni as Saliu nuk janë marrë një herë të vetme në pyetje”, ka thënë Balla.
Më pas deputeti socialist ka shtuar se nëse do të bëheshin zgjedhje të parakohshme për shkak të reformës në drejtësi, opozita do të merrtë edhe 100 mijë shuplaka të tjera, përvec 1 milion të tillave.