Kfw Frankfurt am Main, do të mbështesë financiarisht ndërtimin e linjës së transmetimit të energjisë që lidh Tiranën me Prishtinën.
Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit marrëveshjen e huasë dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfË Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kilovolt Shqipëri – Kosovë (Tiranë – Prishtinë)”, nëpërmjet një huaje prej 42 000 000 (dyzet e dy milionë) eurosh.
Marrëveshja është lidhur nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe parashikon ndërtimin e linjës së transmetimit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë. Shlyerja e kredisë prej 42 milionë euro në këtë projektligj parashikohet të kryhet me afate të përcaktuara brenda 8 viteve, nga 30 qershor 2016-30 dhjetor 2024.
Linja e interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë është me rëndësi strategjike, pasi Shqipërisë, që importon energji elektrike për të plotësuar nevojat, i mundëson qëndrueshmëri importi dhe shfrytëzim optimal të burimeve të saj energjetike plus atyre të Kosovës. Ndërtimi i linjës 400 Kv Tiranë-Prishtinë përmirëson sigurinë me kosto efikase të furnizimit me energji elektrike në Shqipëri dhe përmbush kushtet për një treg të integruar të energjisë në Evropën Juglindore./ATA