Lumi i Gashit në Tropojë dhe Rrajca në Përrenjas me pyjet e vjetër të ahut prej disa vitesh janë përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale pamje të mrekullueshme nga këto pasuri, të cilat i cilësoi “me peizazhet plot oksigjen të pyjeve të vjetra të ahut në luginën e Gashit dhe në Rrajcë, pjesë e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO”.
Rama u shpreh se këto peizazhe janë një frymëzim për të krijuar pasuri të tjera të rralla pyjore në Vitin e Pyjeve siç është shpallur 2024-a.
Shqipëria është e bekuar me natyrë të mrekullueshme. Pasuritë natyrore jo vetëm janë ruajtur dhe zhvilluar, por janë bërë edhe pjesë e trashëgimisë natyrore të botës.
Viti i Pyjeve është shpallur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Qeveria e Shqipërisë si një vit me fushata pyllëzimi, por edhe edukimi dhe ndërgjegjësimi për qytetarët. Më herët, viti 2022 iu dedikua pastrimit dhe mjedisit, ndërsa viti 2023 ishte viti dedikuar Vjosës, me krijimin e Parkut Kombëtar të lumit të fundit të egër në Europë.
/a.r