Një ngjarje e rëndë ndodhi në Greqi, ku një foshnjë 15-muajshe me origjinë shqiptare humbi jetën mbrëmjen e së martës, në spitalin Bodosakeio në Ptolemaida.
Vogëlushi u dërgua me temperaturë të lartë në Klinikën e Pediatrisë në orët e vona të natës, rreth orës 23:00 dhe disa orë më vonë ndërroi jetë.
Prindërit e fëmijës, me origjinë nga Elbasani akuzojnë mjekët për neglizhencë, pasi thonë se e çuan fëmijën e tyre dy herë në spital por mjekët vendosën që djali i vogël nuk kishte nevojë për shtrim dhe kështu ai u kthye në shtëpi.
Hera e tretë që shkoi në spital rezultoi fatale.
I ftuar sot në “Vizioni i Pasdites” ishte Arben Cani, kreu i shoqatës së emigrantëve në Greqi. Ai tha për Vizion Plus se do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje dhe se duan drejtësi. Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Shëndetësisë dhe Avokatit të Popullit i kanë dërguar peticion dhe kërkojnë hetimin e bluzave të bardha. Sakaq, nga ana e spitalit, Cani thotë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Arben Cani: Fakti është që e kanë çuar në spital natën e parë dhe e kanë dërguar në shtëpi. E kanë çuar për herë të dytë në spital me të vjella dhe stafi i spitalit i kanë dhënë depon dhe i kanë dërguar në shtëpi sërish. Ditën e tretë, në mëngjes e kanë çuar gjysmë të vdekur në spital dhe ka ndërrur jetë në duart e bluzave të bardha. Qëndrimi i personelit të spitalit është i papranueshëm.
Mediet greke kanë mbajtur një qëndrim demokratik ndaj kësaj çështjeje dhe e kanë ndjekur me detaje. Personeli i spitalit nuk ka pranuar të bëjë asnjë komunikim telefonik. Është i vetmi rast që mediet greke e kanë goditur, pa asnjë lloj dallimi, e kanë goditur në mënyrë demokratike. E vetmaj gjë që kanë thënë nga spitali, është që çështja është në Prokurori. Ne kemi bërë peticionet tona drejtuar ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtësisë që të marrin masa ndaj bluzave të bardha. Ne do ta ndjekim këtë çështje deri në fund, derisa të bëhet drejtësi./m.j