Nga Jakin Marena
Tashmë është kthyer në një ritual të përditshëm tubimi i disa mbështetësve të Sali Berishës para pallatit të tij, tek rruga “Mustafa Matohiti” në mes të Tiranës.
Me sa kemi parë gjatë tërë këtyre ditëve, në të njejtën orë të pasdites, në 17.30 mblidhen me të njejtin ritual, ithtarët e liderit të Foltores, herë të udhëhequr nga Flamur Noka e herë nga ndonjë tjetër, që me sytë e duart lart nga kati i epërm i pallatit presin daljen e liderit të tyre në dritare.
Eshtë i njëjti skenar, i njëjti “pelegrinazh’ me të njejtët ‘pelegrinë’ që bëhet para banesës së një njeriut të gjallë për hir të së vërtetës, por që është mbyllur aty sipas një vendimi të Gjykatës së Posaçme, në arrest shtëpiak.
Çdo ditë, pasi pritet dhe mbështetësi i fundit në këtë tubim para banesës, kreu i Foltores del në dritaren e shtëpisë së tij, me letër në dorë si rrallëherë e kemi parë të flasë me letër, dhe mban fjalim para dhjetëra ithtarësh të ‘rrudhur’ deri në ekstrem tashmë, të cilët me sytë që duket sikur janë drejtuar nga qielli, dëgjojnë çdo fjalë që del nga goja e drejtuesit të grupimit të tyre.
Dëgjojnë përditë akuzat e Berishës kundër Ramës, prokurorëve e gjyqtarëve të posaçëm si dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë të cilët sipas Berishës dhe mbështetësve të tij i kanë bërë gjëmën doktorit duke e shpallur atë ‘non grata’ në SHBA, si dhe gjëra të tjera të këtij lloji.
Në fund, dëgjojnë më të shumëdëshiruarën që njëherësh është dhe me e pamundura, deklarimin e Berishës për një revolucion të gjërë i cili ‘do të fshijë nga faqja e dheut Edi Ramën dhe regjimin e tij”. S’jemi në mendjen e tyre që të themi nëse e besojnë në të vërtetë këtë kërcënim të Berishës ithtarët e tij, apo ua do puna që të bëjnë sikur e besojnë.
Dhe në fund, si për t’i vënë kapak këtij ‘pelegrinazhi’ të rrallë për nga mënyra e realizimit por dhe nga pjesëmarrja e pakët, është vajza e Berishës, Argita Malltezi Berisha ajo që flet para këtyre mbështetësve, duke paralajmëruar ashtu sikurse i ati, ringritjen e opozitës për të ardhur në pushtet. Flet si një ‘shtresë e mesme’ Argita, për hir të së vërtetës.
Pra pallati i Berishës është kthyer ngjashëm me një vend ‘vakëf’ ku ithtarët e tij shkojnë dhe bëjnë ‘pelegrinazh’ çdo pasdite, proces i cili duket se do të vazhdojë shumë e shumë gjatë. Pasi hetimi i privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani” do të hajë goxha kohë, derisa dhe Berisha i akuzuar për korrupsion pasiv të shkojë nga arresti në shtëpi, në përballje me prokurorët e SPAK për të thënë fjalën e tij e për të marrë vendimin që i takon nga Gjykata e Posaçme: ‘transferimin’ në qeli nëse shpallet i fajshëm apo e ‘zënë’ ndërkohë rrugës dhe dosjet të tjera që do hapen me emrin e tij në qendër të hetimit, ose do të shpallet i pafajshëm dhe të vazhdojë jetën e tij normale.
Dhe për të gjithë ata që nuk e dinë ‘vakëfi’ është një pasuri e patundshme, që ishte pronë e një xhamie, e një kishe, e një teqeje apo e një manastiri, e cila trashëgohet, jep trashëgimi dhe sipas përfytyrimeve mistike fetare është dhe vend i shenjtë. Pra kërkohet mëshirë. Për mbështetësit e Berishës, ata që kanë mbetur dhe që bëjnë ‘pelegrinazh’ për çdo pasdite, banesa e Berishës me vetë Berishën brenda duket se është si ‘vakëf’ pasi prej tij kanë buruar dhe të ardhurat e mëdha që kanë përfituar gjatë pushtetit të PD kur ishin në postet më të larta të shtetit, shtëpitë e shumta për veten dhe farefisin në të gjithë vijën bregdetare dhe pikat më turistike të vendit, apo pasuri tjera të tundshme e të patundshme. Dhe po ‘luten’ me sytë lart, të vijë sërish ajo kohë.
Por është dhe vendi, ku mendojnë se mund të vijojnë të ‘burojë’ një mandat deputeti për ‘sjellje të mirë’ në zgjedhjet e ardhshme, si dhe ndonëse është zbehur shumë si dëshirë, disa prej këtyre mbështetësve shpresojnë se mund të trashëgojnë drejtimin e “Foltores” nëse Berisha zhduket nga skena politike apo mosha biologjike bën të veten, duke shënuar fundin e ciklit jetësor.
Themi se janë zbehur shpresat, pasi dalja e Argitës për çdo mbrëmje pas përfundimit të tubimit me përfundimin e fjalës së Berishës nga dritarja e kateve të epërme të pallatit, tregon se çështja e trashëgimisë së Foltores është zgjidhur tashmë. Zgjedhja është dhënë në favor të familjes, duke ia trashëguar grupimin politik vajzës së tij, Argita Malltezi Berishës.
Dikush mund të thotë se është zgjidhja më e mirë për Berishën, pasi vajza është dhe personi i duhur dhe më i besueshëm që mbron babain. Këtu ka shumë të vërteta, dhe Argita ka gjithë të drejtën e botës për të qenë një ‘roje’ e fortë në shërbim të babait, burrit të saj Jamarbër Malltezi që është në arrest shtëpiak dhe ai për pastrim parash në 17 kullat e famshme te “Partizani’, si dhe të vëllait Shkelzen i cili është në ‘radarin’ e SPAK për një sërë akuzash.
Pra ‘prona’mbetet brenda familjes, e trashëguar tashmë nga një pjestar i kësaj familjeje, dhe me shpresën e familjes që të kthehet në një vend të ‘shenjtë’ për ata pak mbështetës që shkojnë çdo pasdite dhe me sytë nga qielli e luten për liderin e tyre nën arrest shtëpiak. Një ‘vakëf’ hesapi për t’u përdorur sa herë që ka ndonjë ditë të zezë familja, me drejtësinë dhe ndërkombëtarët.
Ndërkohë që të humburit e mëdhenj janë demokratët që mbështesin ‘Foltoren” dhe bizneset që kishin lulëzuar andej rrotull, në rrugën që cilësohet rëndom si “rruga e Salës”.
Demokratët e për pasojë dhe tërë opozita, ka kohë që e ka humbur ‘erën’ e përpjekjeve për të ardhur në pushtet, duke u shndërruar tashmë në një gardë mbrojtëse për hallet e familjes Berisha, aq sa e ka zhvendosur dhe qendrën e ‘rëndesës’ së grupimit politik nga selia e marrë dhunshëm e PD në buzë të Lanës, tek banesa e liderit të tyre në “Rrugën e Salës”.
Në themelet e pallatit të Berishës duket se janë varrosur të gjitha shpresat e demokratëve dhe të Berishës për të bërë atë për të cilën lufton një opozitë: alternativën e ardhjes në pushtet. Ka gati dy vite, e sidomos këto kohët e fundit, që opozitarët shqiptarë nga goja e Berishës dëgjojnë se si e shpall ‘non grata’ familja Berisha në SHBA, kush ia bëri e si ia bëri, dëgjojnë akuza nga më të rëndomtat ndaj partnerëve ndërkombëtarë, ndaj drejtësisë së re e sigurisht dhe ndaj kryeministrit Edi Rama.
Demokratët dhe opozita kanë mësuar përmendësh të gjitha justifikimet e Berishës për arrestimin e dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, se si ‘djaloshi’ bëri lekë në qeverisjen e tij ashtu si ‘rastësisht’ duke ndryshuar ligje e vendime, të cilat hynë në fuqi ndonëse kundërshtonin njëra tjetrën, por që nga një ‘bythë vend’ i dhanë dhëndrit të ‘artë’ 5.4 milionë euro fitime dhe një kompleks prej 17 kullash shumëkatëshe tek Partizani. Pjesa e dukshme kjo.
Ndërsa demokratët nuk kanë dëgjuar asnjë fjalë se si duhet të përgatitet opozita për të ardhur në pushtet, pasi pas një viti kemi zgjedhjet parlamentare. Vetëm kanë dëgjuar kërcënimet e Berishës se me Ramën nuk ka zgjedhje ndaj do ta përmbysë regjimin e tij. A thua largimi i një qeverie, aq më tepër të një qeverie të konsoliduar si ajo e mazhorancës socialiste, bëhet thjeshtë dhe vetëm më ‘urdhërin e peshkut” të Berishës.
Ndërkohë që bizneset që kishin lulëzuar në ‘rrugën e Salës’ e rrotull saj kanë nisur të mendojnë për të ardhmen. Duke tentuar të lënë qiranë e ‘kripur’ në këtë zonë apo dhe të shesin bizneset e tyre, sepse nuk gjenerojnë më fitime. Në një vëzhgim të shpejtë që bëmë këtë fundjavë në këtë rrugë që mbizotërohet nga bizneset, vihej re një lëvizje e pakët në orët e pasditës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të tubimit të demokratëve të Foltores përballë shtëpisë së Berishës.
Klientët me sa duket i tremben konfrontimeve, zërit të ngritur të militantëve, që tentojnë t’i bien në sy Berishës e gjëra të tjera të këtij lloji, dhe gjejnë alternativa të tjera në Tiranë duke braktisur lokalet e kësaj rruge. Fundja ata pasditeve dhe fundjavave tentojnë që të qetësohen, të shkarkojnë stresin e ditës apo javës në punë, të takojnë ndonjë mik në një cep të qetë, apo të ‘harrohen’ nën ritmet e muzikës, siç bëjnë të rinjtë zakonisht.
Media lajmëron se ithtarët e Berishës që shkojnë para ose rrinë pas ‘pelegrinazhit’ te përditshëm para shtëpisë së liderit të tyre dalin ndonjëherë dhe pa paguar, në kuadër të ‘mosbindjes civile’ që nuk arrijnë dot ta bëjnë ndaj qeverisë sepse nuk kanë mbështetje, arrijnë në mënyrë nominale ta bëjnë në kurriz të bizneseve rrotull shtëpisë së Doktorit.
Dhe teksa i kthehemi, kthimit të pallatit të Berishës si vend ‘vakëf’ ajo që mund të themi është se, përpjekja për të përfituar nga ky vend ‘vakëf’, nuk është hallall. S’ia ka parë askush hajrin vënies dorë në një “vakëf’, sikurse s’po ia sheh hajrin as “Foltorja’ që po shkon poshtë e më poshtë për nga mbështetja qytetare, ashtu dhe bizneset që kanë marrë arratinë, pasi dalëngadalë po falimentojnë nga mungesa e klientëve, të trembur nga ‘pelegrinët’ e Doktorit.