Presidenti amerikan, Barack Obama dënoi dje, ditë e rëndësishme për parapraket presidenciale, tonet vulgare të fushatës elektorale, duke goditur, pa përmendur, miliarderin Donald Trump.
“Kemi dëgjuar fjalime vulgare dhe që janë burim ndarjesh që prekin gruan dhe minoritetet”, deklaroi Obama gjatë një takimi me kongresmenë, duke kujtuar se këto fjalime kanë ndikim edhe jashtë kufijëve të SHBA-së.
“Kush jemi ne? Si perceptohemi ne në botë? Bota është e ndjeshme ndaj asaj që ne themi dhe asaj që ne bëjmë”, theksoi ai.
Donald Trump akuzohet nga kundërshtarët e tij, edhe brenda kampit republikan, se po krijon një atmosferë gjithnjë e më shumë toksike me fushatën e tij pas tensioneve dhe dhunës që karakterizuan shumë nga mbledhjet e tij këtë fundjavë.
“Ne të gjithë duhet të kujdesemi për atë që bëjmë që mund të kontribuojë për këtë atmosferë keqdashëse për botën tonë politike. Nëse disa kanë një përgjegjësi më të madhe se sa të tjerë, na përket të bëjmë gjithçka për të ndryshuar këtë tendencë”, vazhdoi Obama.
“Armiqësia sjell armiqësi. Kjo duhet të marrë fund. Kjo nuk ka lidhje me politikisht korrekt, bëhet fjalë për një sjellje gërryese që mund të dobësojë demokracinë tonë, shoqërinë tonë madje edhe ekonominë tonë”, theksoi presidenti amerikan.