Ndarja e Princ Lekës dhe Elia Zaharias ka qenë padyshim kryefjala e shtypit rozë në muajt e fundit. Pas një historie dashurie të denjë për përralla, çifti i dha fund pas 15 vitesh, duke lënë pas shumë aludime, rreth arsyeve që i çuan në këtë divorc. Por teksa për mediat kjo histori doli në pah, muajt e fundit, dyshja duket se i kishte dhënë fund rreth 1 vit më parë.
Tashmë, Princ Leka ka rinisur një tjetër histori dashurie, duke lënë pas raportin me Elian. Një fotografe, disa vite më e re është edhe partnerja e re e Lekës, lidhje kjo që është shijuar larg vëmendjes së publikut.
Blerta Celibashi është emri i fotografes, që është parë shpesh herë nën shoqërinë e Princit. E kontaktuar pak ditë më parë nga JOQ, vetë Blerta zgjodhi mos të komentonte rreth lajmit, por as ta mohonte atë.
Historia mes tyre duket mëse e konsoliduar, teksa tashmë çifti, ndonëse ende nuk kanë dalë publikisht, kanë zgjedhur që natën e ndërrimit të viteve ta kalojnë së bashku. Kanë qenë disa foto paparacë, që kanë sjellë për herë të parë imazhet e tyre së bashku. Leka dhe Blerta janë kapur “mat” në aeroportin e Budapestit, ku edhe kanë zgjedhur që të kalojnë natën e ndërrimit të viteve, krejt të vetëm.
Dyshja u shfaq në aeroport, teksa përpiqeshin t’u shpëtonin syve të kureshtarëve, megjithatë duket se nuk ia kanë dalë. Të vetëm, me valixhe në duar, dhe gjatë gjithë kohës bashkë, çifti i ri, ka zgjedhur të arratiset nga Shqipëria, në kulmin e thashethemeve për ta.
Ndërkohë në rrjetet e tij sociale, Leka nuk preferoi të publikonte foto për të zbuluar se ku do t’i kalonte këto ditë festash. Arsyeja ishte pikërisht arratisja romantike me partneren e tij të re. Blerta prej vitesh është pjesë e aktiviteteve, por me rolin e saj si fotografe, mjaftojmë të kujtojmë këtu se ajo ka qenë një nga fotografet e Partisë Demokratike.
Megjithatë, këtë herë, ajo është shndërruar në personazhin më të ndjekur, duke fituar një vëmendje të madhe, pasi historia e saj e dashurisë me Princ Lekës u bë publike. Nga ato që kemi mundur të mësojmë është se problemet mes çiftit, kanë nisur që para verës së vitittë kaluar.
Si Elia, ashtu edhe Princ Leka, muajt e fundit janë takuar vetëm për hir të Geraldinës, duke bërë rolin e prindit, dhe jo më të dy bashkëshortëve. Bëhet me dije se edhe pushimet e verës, dyshja i ka kaluar në konflikt e sipër, ndryshe nga verat e shkuara që jo vetëm që kanë realizuar disa udhëtime, por edhe kanë pozuar në rrjetet e tyre sociale të dy apo të tre së bashku.
Dyshja ka nisur problemet e para rreth 6 muaj më parë dhe ka vendosur që gjithçka ta mbajë sa më diskret, duke preferuar që mos të përfshijë në këtë konflikt të tyren familjarë apo miqtë. Shumë nga miqtë e Elias, nuk e dinin për këtë histori që po shkonte drejt një ndarjeje.
Edhe sot, që dyshja pritet ti japë fund martesës ligjërisht, prapë miqtë e afërt të tyre pak dinë rreth arsyeve që i çuan drejt divorcit. Por shkak i këtyre probleme nuk ka qenë historia e Blertën.
Raporti i saj me Princin, ka nisur vetëm disa kohë më parë, kur martesa e tyre kishte mbërritur tashmë në fund. Ndërkohë, Elia nuk jeton më në shtëpinë e Lekës, ku prej shumë vitesh kanë jetuar së bashku.
Ishte thuajse e pashmangshme që teksa kaloje në rrugën e Pedonales, mos të ndesheshe me vogëlushen Geraldinë, nën shoqërinë e dy gjyshërve të saj. Por prej disa javësh tashmë, Geraldina nuk është më në shtëpinë e babait të saj, ku herë pas here rikthehet për të qëndruar edhe me Princ Lekën.
Sa i përket Lekës, ai ka vendosur që mos të reagojë deri më tani, duke vijuar me detyrat e tij, pa përmendur për asnjë moment divorcin me bashkëshorten e tij. Megjithatë, duket se gjithçka do të bëhet me marrëveshje. Ku ndonëse çifti është ndarë pas disa konfliktesh të vazhdueshme, kanë vendosur që tani e tutje të kenë një raport të mirë si prindër të Geraldinës dhe ndarja mes tyre të bëhet në mënyrë paqësore, si një familjeje mbretërore i ka hije.
Elia dhe Leka janë treguar gjithmonë diskretë sa i përket detajeve të historisë së tyre të dashurisë 15-vjeçare, duke folur shumë rrallë. Por ka qenë i vëllai i Elias, Amos që ka zbuluar kohë më parë, disa detaje nga takimi i tyre. Aktori rrëfeu takimin e parë të motrës së tij me Princ Lekën, ku theksoi se që në momentin e parë ka vënë re një tërheqje mes tyre ndërsa nuk i kurseu as batutat.
“Unë në fakt kam qenë prezent në takimin e parë që Elia ka patur me Princin dhe që në atë moment e kuptova që seç ka diçka midis këtyre, është ai shikimi që unë nuk di ta shpjegoj, por është një shikim ku shihen dy njerëz që tërhiqen me njëri-tjetrin dhe kjo ishte ajo që ndodhi. Dhe unë duke i parë dhe duke u larguar avash avash, se po i lija terrenin hapur Elias dhe… bëj shaka patjetër. Por, është një gjë që lindi aty për aty”, u shpreh aktori.
Leka II kurorëzoi dashurinë me Elia Zaharinë në një ceremoni luksoze. Dy të rinjtë u fejuan në Paris në vitin 2010, por nisën të planifikonin ditën e madhe vetëm pak muaj para ceremonisë. Në dasmë morën pjesë rreth 20 familje mbretërore nga e gjitha bota, përfshirë dhe Princin Michael të Kentit – kushëririn e parë të Mbretëreshës së Britanisë, Elisabeta II.
Princesha Lea e Belgjikës dhe Mbretëresha Sofia e Spanjës gjithashtu ishin të pranishme në ceremoninë e organizuar në Tiranë. Nga kjo martesë ato janë bërë prindër të Geraldinës, e cila ka trashëguar emrin e Mbretëreshës shqiptare./Panorama