Konflikti ndërmjet demokratëve nuk bëhet vetëm kush ka selinë, por edhe Rilindjen Demokratike. Gazeta, e cila u themelua në 5 janarin e vitit 1991, si media e parë opozitare në Shqipëri, është kthyer në mollën e radhës për të cilën demokratët zihen.
Mes këtij konflikti pronësie, natyrshëm lind pyetja, kush e drejton Rilindjen Demokratike? Përgjigjen e kësaj pyetjeje duket se e jep Qendra Kombëtare e Biznesit ku ndryshe nga Gjykata e Tiranës, dukshëm njeh vulën e Sali Berishës.
Dokumentet tregojnë se administratori i kësaj kompanie është Bledi Kasmi, emërimi i të cilit është bërë me firmën dhe vulën e Flamur Nokës, duke hedhur poshtë një shkresë të mëparshme që mbante firmën e Gazmend Bardhit.
Sipas dokumenteve, 10 shtator të vitit 2022, me urdhër të Flamur Nokës, Bledi Kasmi zëvendësoi Patrik Sadikajn, i cili kishte mbajtur detyrën e administratorit të RD-së me firmën e Gazmend Bardhit nga dhjetori i vitit 2021 deri në shtatorin e vitit 2022.
Por sërish, vula që Qendra Kombëtare e Biznesit i ka njohur Berishës nuk arrin që të njomë asnjë shkresë, pasi në vetvete Rilindja Demokratike nuk ka më një licencë aktive, pavarësisht se në ekstraktin historik dëshmohen ndryshimet e drejtimit të saj.
/f.s