Nga Ing.Pavlo Cimbi!
Po nisem t’i shkruaj këto komente për festivalin mbarëkombëtar FEST62 në RTSH në formën e një refleksioni dashamirës si një adhurues i muzikës së bukur melodioze e jo si muzikant por specialist i një fushe tjetër për shumë vite. Ndjehem gjithashtu i kushtëzuar të reflektojë kështu nga komentet e shumta të rrjeteve sociale dhe programeve televizive post-festival, ku pjesa më e madhe e njerëzve e kritikuan ashpër festivalin dhe një pjesë shumë e vogël e mbrojtën atë artistikisht, ashtu si poeti i mirënjohur Agim Doçi.
Unë personalisht me ndjenjat e mia pozitive dhe idetë konstruktive mendoj se do të qëndroj në vijën e mesme, duke përmendur si më poshtë të mirat dhe të bukurat e këtij festivali ashtu si dhe problematikat e vështira apo defektet artistike, skenike ose organizative.
Me dashamirësinë e pakufishme qytetare dhe muzikëdashëse ndaj traditave fantastike shpirtërore dhe artistike që ky festival historik ka trumpetuar dhe transmetuar për dekada të tëra në shumë breza të ndryshëm, ndjej përgjegjësinë e madhe intelektuale që të jem sa më i qartë, konciz dhe emocional për reflektimin tim të sinqertë. Unë në këtë shkrim kam marrë më shumë në analizë: Natën e 3të të Festivalit, natën e nostalgjisë e cila ishte më e pasura dhe më e pëlqyeshmja nga netët e tjera, gjë që e cila tregon automatikisht nëpërmjet ligjit universal të preferencës logjike, që lidhet në këtë rast me kënaqësinë muzikore-artistike, që këngët e Natës së 3-të, paskan qenë më të mira se këngët e netëve të tjera.
Kështu Nata e 3-të e Festivalit ishte komplet ndryshe nga dy netët e para dike filluar me një entuziazëm të mrekullueshëm muzikor dhe tepër të ndjeshëm artistikisht nga interpretimet e shkëlqyera të Myfarete Lazes dhe më pas motrat Libohova.
Megjithëse lexonin tekstin përballë monitorëve të mëdhenj, që të tre prezantuesit e Festivalit bënin dhe ribënin gabime trashanike në drejtë-shqiptimin e fjalëve dhe fjalive të gjuhës së pasur shqipe. E unë u vura në pozitë të vështirë personalisht brenda qenies së koshiencës sime, për t’i dëgjuar ata me interes apo me anashkalim mospërfillës. Dhe, më vjen keq të shprehem kështu pasi aktorja kosovare ishte një vajzë tepër sharmante dhe i famshmi Kledi Kadiu, historikisht një nga balerinët apo baletmaestrot ekselentë të televizioneve dhe spektakleve italiane më jepnin idenë absolute të sigurisë matematike që ishin thirrur në momentet e fundit për të marrë pjesë në këtë festival, gjë që logjikisht tregon që ata nuk kishin pasur kohë për t’u përgatitur. I madhi Kledi Kadiu reflektoi me modesti për rolin e tij si debutant i ri në prezantim festivali, një modesti e përkryer kjo e një artisti superior ashtu siç vërtetë ai është dhe neve jemi mësuar ta shikojmë gjithmonë kështu për vite e vite të tëra.
Mos ndoshta paska qenë i vërtetë ky realitet i mospasjes kohë në përgatitje pasi fakti më shokues dhe komenti më problematik i post-festivalit ishte ai i këngëtarit fitues Malit tonë të dashur, i cili me sinqeritet të kulluar deklaroi në një ose dy kanale televizivë që ai këngën e tij, muzikën dhe tekstin i krijoi para plot 2 muajsh, gjatë një bisede të zakonshme që pati me nënën e tij, duke i thënë se po bëj një këngë, pa qenë ai vetë muzikant porse si arkitekt dhe po shkonte kështu serbes serbes në festival për t’u paraqitur dhe pse jo për të fituar. Jo,jo,jo kjo histori është kaq shokuese dhe në qoftë se është vërtetë kështu, do të mbetet në arshivat përkujtimore historike të ngjarjeve të bujshme në historinë e artit shqiptar. Festivali kombëtar i muzikës, që bëhet çdo vit, nuk është një bujtinë rruge apo mali ku parkohen dëshirat gastronomike apo hosteliere. Jo kurrsesi jo. Festivali kombëtar anual në RTSH është ngjarja më e rëndësishme artistike e vitit ku kërkohet impenjimi më maksimal shumë mujor për produktet muzikore ose një apo dy vjeçar, i një serioziteti artistik të veçantë dhe saktësie muzikore-letrare-skenografike të këngëve dhe gjithë përfaqësimit. Prandaj, këtu lind vetvetiu dhe pyetja: Përse prej shumë vitesh një pjesë e madhe e intelektualëve shqiptarë dhe atyre tiranas shprehen se nuk e shohin më këtë festival pasi ai ka degraduar. Këtu unë dua të shpreh gjithë respektin tim për punën e madhe dhe impenjimin dinjitoz të Orkestrës së madhe të RTSH-së, “Nder i Kombit” dhe gjithë atyre artistëve të famshëm si Kaçinari apo Saraçi, pjesëtarëve të tjerë të jurisë me emra të ndritur,e pse jo edhe gjithë stafit teknik të organizimit që bëjnë mrekulli teknike, skenike, artistike.
Në interpretimin e saj të këngës franceze në Natën e 3-të të Nostalgjisë, këngëtarja e re e talentuar Paluca, këndoi me përpikëri duke transmetuar një klas të lartë artistik dhe mua duke më kujtuar thënien e famshme franceze: “Çfarë nuk është frëngjisht, nuk është e qartë”.
Ndërkohë që më pas Eneda Tarifa këndoi duke shkëlqyer dhe shkëlqeu duke kënduar, pa pasur fare nevojën e përdorimit përballë në monitorët, tekstin e këngës “Nostalgji”, këngë tepër sinjifikative dhe e mirë-përzgjedhur nga drejtuesi artistik i Festivalit në atë natë të veçantë.
E më vonë erdhi radha e kombinacionit magjik të atij çiftit të ri për këngën Fairytail të Eurovizionit në harmoni të plotë me violinisten e talentuar. Që të tre këta artistë të rinj ndezën skenën e Festivalit në mënyrë brilante.
Dhe kështu si pa të keq ose me shumë keqdashje provokative, vimë në momentet e pranisë në skenë të pseudo-humoristit Xhuljano, ku batutat e tij bajate nxjerrin jashtë loje tërë punën e Festivalit me një humor pa kripë, pa sheqer, pa lezet, me doza problematike dhe gabime trashanike. E folura prej tij e gjuhës shqipe me plot gabime primitive ku më dha sensin e kundërt të të qënit spektator në sallën prestigjioze të Festivalit dhe duke i bërë pyetjen vetvetes: Po pse erdhe ore budallë në Festival? Çfarë t’u desh që erdhe përsëri? Momente të tilla kanë një dëm kolosal pasi zbrazin sallat e evenimenteve dhe vitet e tjera nuk do të shkojë më njeri që të blej bileta. Prandaj duhet një kujdes i madh në përzgjedhje për çdo gjë! Më pas, zëri im i brendshëm vazhdonte të më pyeste: A dëgjohet vallë ky njeri tashmë duke na i konsideruar të gjithë miqtë tanë komshij italianë si perversa dhe qytete njerëzish 50 mijë banorësh në botë vdesin sipas tij nga seksi në banjë dhe rrëshqitjeve nudo në dyshemenë e tualetit, ndërkohë që po ashtu sipas mendjes së tij të molepsur, terrorizmi kjo plagë serioze që luftohet me ashpërsi në të gjithë planetin tonë dhe është një prioritet botëror nuk ekziston, porse qenka një mashtrim ashtu si ideja e tij barbare, cinike, ofenduese, regresive, antipatriotike se: lufta e Kosovës u fitua nga ekzistenca e Monika Leëinskit. Lufta e Kosovës ore djalo apo djallo,u fitua nga populli i vuajtur dhe i shtypur, nga lotët e gjithë atyre nënave të gjora dhe fëmijëve të zbathur, të pangrënë, të uritur, që ZOTI I MADH i pa vuajtjet e tyre, ashtu si neve pamë në këtë festival kapërcimin meskin apo rrëshqitjen shtazarake bile edhe nudo të imagjinatës tënde të shfrenuar, pathologjikisht aq të sëmurë nëpërmjet pseudo-humorit tënd përçmues, negativ, toksik dh eterrorist. Aktori më i dobët i PORTOKALLISË ndër vite do t’a kishte mrekulluar sallën e Festivalit shumë herë më mirë se sa ty i dashur Pepino-Xhuljano, ku që sot e tutje duhet të tregosh më tepër respekt për Italinë ku u rrite, për Kosovën dhe gjuhën shqipe,po ashtu edhe për skenën e Festivalit që ti e skandalizove. Po të isha unë si Bojken Lako do të jepja urdhër të veçantë që ti të mos pagueshe as edhe një centezëm në këtë aventurën tënde qesharake-dështake!
Kostumet e njërës prej prezantuesve të Festivalit ishin për t’u patur zili edhe nga sallonet më moderne të modës botërore, ndërkohë që veshjet e Kledit ishin tepër shik me një elegancë të rafinuar ashtu si ecja e tij aq artistike dhe sportive.
Kënga “Volare” më vonë solli në pah që efektet audio të Festivalit ngandonjëherë me intervale nuk ishin në lartësinë e duhur pasi skena ishte disi e zhurmshme e një intensiteti të lartë të fonisë, ndërkohë që ndriçimi dhe efektet e dritave shumëngjyrëshe ishin shumë perfekte.
Me ardhjen në skenë të Adelina Ismailit, gjithë salla kuptoi që një artiste e mirënjohur dhe tepër e dashur ka zaptuar skenën dhe çdo gjë ajo vërtet e ndezi aq bukur me plot entuziazëm ashtu si në koncertet e Xhenifer Lopez pasi Adelina me të vërtetë pavarësisht se nuk ka shtatlartësinë trupore të Lopezit i bën performancat e saj me pasion të jashtëzakonshëm duke transmetuar një kualitet të lartë artistik.
E më vonë Elton Deda së bashku me dy artistë të tjerë ja çon nivelin Festivalit në një stad akoma më të lartë të kënaqësisë muzikore të publikut me këngën e tij të Qytetit të Vjetër. Publiku në sallë bëhet kaq entuziast dhe pjesëmarrës në këngë sa që një pjesë e madhe e spektatorëve duket qartë që këndon këtë “hit” të paharruar me kalimin e viteve. Pra kështu duhet të jetë një festival. Ky është roli i tij që duhet të luajë duke sensibilizuar spektatorët, telespektatorët dhe gjithë njerëzit.Këngët e Festivalit duhen kënduar dhe rikënduar ku fjalët dhe melodia duhet të mbeten përjetë në buzë.Vetëm kështu përkryhet misioni artistik dhe fisnik i vërtetë. Dhe pa tjetër kjo këngë dhe melodia e saj mahnitëse u transmetuan në sallë edhe tek pjesëtari tjetër i “3 Musketjerëve”,i mirënjohuri Aleksandër Gjoka i cili ishte në radhën e parë si pjestar i jurisë së nderuar, ku bënte pjesë edhe Zonja Elena Kadare,e cila la për t’u kuptuar shumë me heshtjen e saj absolute gjatë gjithë festivalit.
Interpretimi dinjitoz i Elsa Lilës në Natën e 3-të të Nostalgjisë, me dy këngët e saj, më bëri që t’a shoh këtë këngëtare të madhe të muzikës së lehtë shqiptare edhe në një rol tjetër dhe pikërisht edhe si një Edith Piaf apo Shirley Bassey shqiptare me nuanca operistike të një mexosopraneje pasi inskenimi i saj operistik në përpunimin dhe shfaqjen e zërit të saj të veçantë krijoi këtë ide nga intonacionet dhe luhatjet e saj vokaliste në një mënyrë perfekte të një plasticiteti ekzemplar i paarritur ndonjëherë më parë në skenat shqiptare të tërë historisë kombëtare të muzikës së lehtë përveç rasteve shumë të veçanta të shpërthimeve muzikore interpretative të Vaçe Zelës apo Irma Libohovës.
Homazhi për të pavdekshmin Toto Cutugno në FEST62 me këngën “United Europe”ishte plotësisht i mirëmenduar pasi u tregua respekt meritues dhe mirënjohës për një artist dinjitoz dhe veprën e tij të madhërishme si Kantautor që kapërceu kufijtë e Italisë fqinje. Kjo këngë dha idenë e madhe si domosdoshmëri historike tashmë që FEST-62 është dhe duhet të jetë pjesë e EU-së dhe EU pse jo e pranishme në skenën e Festivalit brenda gjithë nocioneve dhe koncepteve të nënkuptuar ashtu si me pjesëmarrjen absolute tashmë në Eurovizion prej shumë vitesh.
Dhe së fundi një shënim i rëndësishëm do të ishte i domosdoshëm për festivalet e tjera nga ana menaxheriale e prezantimit të këngëve dhe insinuatave të tjera skenike. Në këtë festival u vu re që në çdo rast, për çdo prezantim kënge dilnin së bashku që të tre prezantuesit, gjë që bëri në të shumtat e rasteve të ngatërroheshin me njëri-tjetrin, ndërkohë që çdo gjë ata thonin e kishin të shkruar sipas radhës, përballë në monitorët e mëdhenj. Këtu ndoshta atyre nuk u vihet faj dhe fajin e kishte dikush tjetër.Nëqoftëse drejtori artistik e pa që në Natën e 1rë kjo praktikë nuk funksionoi atëherë duhet t’a ndërronte skemën menjëherë duke bërë alternimet e nevojshme dhe në netët e tjera për çdo këngë duhej të dilte vetëm një prezantues,me përjashtim të rasteve të veçanta ku duhej domosdoshmërisht pjesëmarrja e të treve.
Megjithatë këto janë gabime që korrigjohen dhe shpresojmë që në festivalet e ardhshme për të filluar një eksperiencë të re pse jo edhe të përsëritjes së kohërave të vjetra, të lavdishme historike, ashtu siç bën edhe shumë e famshmja në botë SAN REMO gjithnjë. Duhet kështu pa tjetër me insistim të madh që të ftohet nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së ekipi super-ekselentë i 3-Muskëtjerëve të tjerë: Ardit Gjebrea-Gjergj Leka-Pirro Çako,artistë universalë dhe aq kompetentë të zotë me profesionalizmin e tyre të jashtëzakonshëm. Le t’a ndjejnë edhe vetë ata këtë përgjegjësi kombëtare dhe detyrim artistik e human si tre Silvigno apo De Biazi,që ka ardhur koha që Shqipëria të fitojë një Eurovizion apo të jetë në gjysëm-finalet(katërshen)e Europianit 2024,për t’u anëtarësuar pastaj automatikisht në Bashkimin Europian.Le të mbetemi me shpresën e madhe tek besimi i punës serioze në të ardhmen që çdo gjë të shkojë në perfeksion në çdo fushë të jetës dhe unë pas këtij shkrimi të gjatë kujtoj me nostalgji të veçantë tashmë,ashtu siç ishte Nata e 3të e këtij Festivali,shokun tim komshi të fëmijërisë kur shkonim që të dy të vegjël në piano nga 21-Dhjetori tek Kongresi i Përmetit në cepin e Selvisë të Tironës sonë të shtrenjtë. Kujtoj të paharruarin tonë Kantautorin e mirënjohur Kujtim Prodanin, djalin e Maestros së madh të krijimit të këtij Festivali Kombëtar në RTSH, kompozitorin legjendë dhe Babain e Festivaleve Agim Prodani………
25 Dhjetor 2023