Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në qeli Behar Bajrin, i arrestuar në 4 shtator në Francë.
Bajri ankimoi në Apel vendimin e GJKKO dhe kërkonte një masë më të butë sigurie.
Ka qenë gjyqtarja Saida Dollani, ajo e cila ka marrë ditën e sotme dhe ka lënë në qeli Bajrin, i cili akuzohet për disa krime të kryera e të mbetura në tentativë.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 04.01.2024, ora 10:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 26.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim Behar Bajri., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 94, datë 23.07.2023 dhe vendimit nr. 126, datë 17.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
⦁ Miratimin e vendimit nr. 94, datë 23.07.2023 dhe të vendimit nr. 126, datë 17.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në lidhje me të hetuarin B.B”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm.
Bajri u arrestua më 4 shtator në një lokal në një lagje të Strasbourg-ut, ku jetonte bashkë me familjen, pasi gjykata, me kërkesë të SPAK, kishte caktuar ndaj tij në korrik masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Prokuroria e akuzon, Bajrin, i cili në dosjen hetimore del me mbiemrin Brajoviq, për pesë vepra të rënda penale, atë të vrasjes me paramendim të Gjin Boriçit, grup e organizatë të strukturuar kriminale. Po ashtu sipas Prokurorisë së Posaçme, ai dyshohet se ka siguruar kushtet për vrasjen e tre personave, Kleanthi Musabelli, Dorian Duli dhe Ibrahim Lici.
Behar Bajri është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe u vendos në shënjestër pas çkodimit të dy aplikacioneve Sky- Ecc dhe Encho- Chat, i cili u finalizua me operacionin e koduar “Metamorfoza”.
Hetimet që përfunduan me lëshimin e 15 urdhër-arresteve kishin nisur që në vitin 2019 pasi autoritetet holandeze, belge, e ato franceze të ndihmuara edhe nga Europol mundën të thyejnë aplikacionet e mësipërme.
Mes urdhër- arresteve të lëshuara nga SPAK, përfshiheshin Ervis Martinaj, i shpallur i zhdukur, biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish- shefi i operacionales, Oltian Bistri, prokurori i Kukësit Xhevahir Lita e dëshmitari i drejtësisë, Nuredin Dumani.
/a.r