Kosova feston vitin e ri me liberalizimin e vizave. Nga sot, 1 janari i vitit 2024, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen, e përbërë prej 27 shtetesh, shumica e tyre anëtare të Bashkimit Evropian.
Sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë, të cilët e kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës së Qeverisë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka uruar sërish qytetarët e Kosovës për heqjen e vizave, duke thënë se kanë pritur shumë për këtë ditë.
“Kemi pritur shumë gjatë, nga sot po hiqet një padrejtësi. Qytetarët tanë tashmë do të mund të lëvizin në 32 vende.
Të respektojnë kriteret, dhe kudo që të udhëtojmë mos të harrojmë se shtëpia jonë është Kosova. Urime viti i ri dhe për herë të fundit urime liberalizimi i vizave”, tha Kurti.