Rusia ka bombarduar ashpër qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, gjatë natës mes 30 dhe 31 dhjetorit, duke i dëmtuar ndërtesat e banimit, një klinikë mjekësore, një hotel dhe infrastruktura të tjera civile, thanë zyrtarët ukrainas.
Kryetari i Kharkivit shkroi në rrjetin social Telegram se sulmi i shkaktoi 16 viktima. Zyra e Prokurorit e Ukrainës tha se 26 njerëz u lënduan. Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se në mesin e viktimave ishte edhe një gazetar nga Britania e Madhe, pa dhënë ndonjë hollësi shtesë.
Njëra nga raketat ruse e goditi hotelin me pesë yje në Harkiv, Palace Hotel. Ushtria e Ukrainës raportoi se sulmi u krye me disa dronë iraninë dhe raketa të shkrepura nga rajoni perëndimor i Rusisë, Belgorod.
Ky sulm ndodhi pak orë pasi autoritetet ruse pretenduan se një sulm ukrainas i vrau 20 civilë në qytetin Belgorod, rreth 25 kilometra larg kufirit të Ukrainës me Rusinë. Rreth 111 njerëz u plagosën, sipas autoriteteve ruse.
Ukraina nuk ka reaguar ndaj këtyre raportimeve. Gjatë një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 30 dhjetor, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, e akuzoi Ukrainën se përdori “municione thërrmuese” gjatë sulmit në Belgorod dhe tha se ai ishte një sulm “i qëllimshëm kundër caqeve civile”.
Incidenti në Belgorod ndodhi në një kohë kur Rusia kreu sulme të mëdha ajrore në Ukrainë, duke i vrarë rreth 40 njerëz dhe duke i plagosur mbi 160 të tjerë më 29 dhjetor. Kievi e ka shpallur 1 janarin ditë zie, pasi 19 civilë u vranë vetëm në kryeqytetin ukrainas.
/a.r