Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka fajësuar partitë opozitare për “shfrytëzimin” e një mosmarrëveshjeje mes dy klubeve më të mëdha të futbollit turk dhe zyrtarëve sauditë.
Finalja e Superkupës së Turqisë, e cila duhej të luhej të premten në Arabinë Saudite, u shty për kohë të papërcaktuar, pasi klubet rivale nga Stambolli, Galatasaray dhe Fenerbahce, nuk pranuan të dilnin në fushë dhe u kthyen në Turqi.
Qindra tifozë të të dy klubeve shkuan në aeroportet e Stambollit para agimit për t’i përshëndetur dhe brohoritur ekipet e tyre.
Në një komunikatë të përbashkët të premten, Federata e Futbollit e Turqisë dhe klubet i cituan “pengesat në organizim” si arsye për shtyrjen e ndeshjes, si dhe e falënderuar Arabinë Saudite për përpjekjet e saj për ta organizuar ndeshjen.
Megjithatë, mediet vendore raportuan se mosmarrëveshja u shkaktua nga veshja e fanellave nga lojtarët me themeluesin laik të Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, dhe bartjen e një pankarte me moton: “Paqe në shtëpi, paqe në botë”.
Viti 2023 shënoi 100-vjetorin e shpalljes së Turqisë moderne nga Ataturk, dhe të dyja klubet kishin bërë trysni që ndeshja të luhej në atdhe e jo në Arabinë Saudite.
Më herët, mediet raportuan se himni i Turqisë nuk do të lëshohej dhe se flamujt turq nuk do të lejoheshin në stadium, por zyrtarët turq i mohuan këto raportime.
Mosmarrëveshja u bë temë e nxehtë debati gjatë fundjavës dhe u raportua shumë nga mediet opozitare. Megjithatë, mediet pro-qeveritare, klubet, federata e futbollit dhe politikanët turq heshtën për këtë temë.
Presidenti konservator i Turqisë e theu heshtjen të shtunën vonë gjatë një ceremonie për ndarjen e çmimeve.
“Ne urojmë që sportet turke, posaçërisht futbollit, të bëhet temë e suksesit, jo e mosmarrëveshjeve. Shndërrimi i sporteve në temë të përditshme të rivalitetit politik është gabim dhe nuk i bën dobi sporteve tona”, tha Erdogan.
“Deklaratat e bëra nga partitë opozitare prej mbrëmë janë shembulli më i fundit i shfrytëzimit politik”, shtoi ai.
Arabia Saudite ka qenë nikoqir i ndeshjeve dhe turneve ndërkombëtarë, para Kupës së Botës së burrave që do ta organizojë më 2034.
Spanja dhe Italia do t’i zhvillojnë superkupat e tyre atje në janar.
/a.d