Shumë mund ta kenë parë shtyrjen për herë të tretë të seancës ku do t’i komunikohet masa e re e sigurisë Sali Berishës si një taktikë e mbrojtjes së tij për të fituar kohë. Megjithatë, avokti i tij Genc Gjokutaj në “Debat” nga Alba Alishani i hodhi poshtë këto hipoteza.
Sipas tij, zvarritje të procesit nuk ka dhe as nuk po përpiqen që të fitojnë kohë. Pas marrjes së autorizimit nga Parlamenti, ka nisur procesi i zëvendësimit të masës së sigurisë, por mbrojtja e Sali Berishës ka kërkuar përjashtimin e gjykatëses Irena Gjoka nga procesi.
Gjokutaj deklaroi se 48 orë nuk janë zgjatje e procesit duke shtuar se koha do të shterojë dhe një vendim do të merret.
“Nëse nuk përjashtohet gjykatësja, nuk mund të shpallet vendim për masën e sigurisë, duke qenë se kjo ishte arsyeja që seanca u shty për të shtunën,” shpjegoi ai.
Përpos masës “arrest në shtëpi”, pritet që kreut të Rithemelimit t’i ndalohet edhe komunikimi me qytetarët. Por avokati i tij thotë se për ta bërë këtë duhet marrë sërish autorizim nga Parlamenti.
“Një organ i akuzës nuk mund t’i të ndërpresë të drejtën e komunikimit liderit të opozitës. Cenohet misioni i tij prej deputeti.”
Kujtojmë se për ditën e tretë me radhë Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk dha vendim për arrestin shtëpiak të kërkuar nga SPAK për Sali Berishën.
Seanca u shty për të shtunën, 24 orë para ndërrimit të viteve. Avokati Genc Gjokutaj deklaroi më herë gjatë së enjtes se sot kanë marrë të gjitha provat për të paraqitur kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Gjokutaj tha se shtyrja e vendimit bëhet edhe për t’i dhënë kohë gjykatës për të marrë në shqyrtim kërkesën për përjashtimin e gjyqtares, pasi ajo ka një afat 3 ditor.
Por a do të jepet ky vendim të shtunën apo do të shtyhet për në janar? Kjo mbetet për t’u parë.
/a.r