Shkëlzen Berisha u shpreh dje i habitur dhe i indinjuar se pse Gjykata e Posaçme e thirri për herë të dytë në cilësinë e dëshmitarit për Gërdecin, me pretendimin se nuk ka asnjë lidhje dhe dijeni me këtë ngjarje, thua se e kishin thirrur për një incident në Afrikë.
Në kuadër të këtij roli që e luan prej 15 vitesh, Shkëlzen Berisha, me guxim dhe duke sfiduar pasojat penale të deklarimeve të rreme para gjykatës dhe prokurorit, shpiku versione te pabesueshme për çdo fakt që e implikon dhe e vizaton atë si pronar në hije të biznesit në Gërdec.
Shqiptarja.com po risjell në vëmendje faktet, provat, dëshmitë, rrethanat dhe përputhjet e veprimeve, të cilat implikojnë Shkëlzen Berishën në aferën korruptive të Gërdecit, duke i ballafaquar këto fakte dhe rrethana me deklaratat e tij brenda dhe jashtë gjykatës.
Alibitë dhe pretendimet e Shkëlzen Berishës përballë fakteve dhe të vërtetës, janë sa banale, fyese dhe sa sfiduese për standardet që po përpiqet të krijojë drejtësia e re.
1. Raporti me Fatmir Mediun
I pyetur nga SPAK se pse i kishte telefonuar Fatmir Mediu pas shpërthimit në Gërdec dhe çfarë kishin biseduar, Shkëlzen Berisha deklaroi se “Me Mediun njihem prej 1994, kemi patur marrëdhënie personale dhe miqësore. Nuk kemi bërë biseda për demontimin. Kam patur një bisedë me Mediun kur ndodhi shpërthimi, arsyeja ishte për çështje shëndetësore që lidheshin me Mediun. Nuk kam fiksuar asnjë bisedë me Mediun përveç kësaj”.
-Faktet dhe provat që rrëzojnë alibinë e Shkëlzenit
Para përgatitjes së dokumentacionit për ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec, jashtë çdo kushti sigurie, në zyrën e ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut ka hyrë dhe dalë shpesh Shkëlzen Berisha.
Gjatë hetimit pas tragjedisë me pasojë 27 jetë të humbura dhe dhjetëra të plagosur, prokuroria ka sekuestruar blloqet e shënimeve të sekretares së Fatmir Mediut, ku shënoheshin emrat e njerëzve që takonin ministrin.
Në këto fletë blloqesh del emri i Shkëlzen Berishës, i cili ka takuar Mediun në datat 18 mars 2007 si dhe në datat 17, 18, 19 dhe 20 korrik 2007.
Ç’punë kishte djali i kryeministrit të hynte dhe dilte nga zyra e Ministrit të Mbrojtjes?
Nëse ata ishin miq, a nuk mund të takoheshin jashtë zyrave të shtetit apo në fundjavë?
Duke sinkronizuar këtë fakt me prova, dëshmi, lëvizje dhe rrethana të tjera, ngrihen dyshime të arsyeshme se Shkëlzeni lobonte tek Mediu që biznesin e demontimit të municioneve në Gërdec, aty ku sot ka ngritur vetë biznesin e boronicave, ta merrte kompania SAC, me përfaqësues shokun e tij, Rrahman Selmanllarin si dhe Mihal Delijorgji, me të cilin Shkëlzeni kishte lidhje, siç del më vonë edhe nga tabulatet telefonike.
(Vetë Deliorgji nënkontrakton Fahri Balliun, ortak në punë sekserësh me Shkëlzenin. Selmanllari, Deliorgji dhe Balliu marrin në punë Muhamet Hoxhën, burrin e tezes së Shkëlzen Berishës).
Ndërkaq, në vitin 1994, koha kur Shkëlzeni pretendon se është njohur me Fatmir Mediun, Shkëlzeni ka qenë vetëm 16 vjeç.
Mbi çfarë bazash dhe rrethanash mund të kishte miqësi Fatmir Mediu me një 16-vjeçar?
Ky pretendim është sa qesharak aq edhe fyes.
-Veprimet e Mediu dhe interesat e Shkëlzenit
Në një kohë kur Shkëlzeni hynte dhe dilte në zyrën e tij në fillim të vitit 2007, Fatmir Mediu çon në qeveri vendimin për t’i dhënë kontratën e demontimit kompanisë për të cilën ishte interesuar Shkëlzenit. Mediu shfaqet nervoz në mbledhjen e qeverisë së 17 shkurtit 2007, pasi vendimi i tij po diskutohej gjatë në drejtorinë juridike të qeverisë. Fatmir Mediu kishte përgatitur të gjithë dokumentacionin, përfshirë edhe një relacion shpjegues. Për demontimin kishte përcaktuar kompaninë SAC, me përfaqësues shokun për kokë të Shkëlzenit, Rrahman Selmanllarin.
Nga procesverbali rezulton se ministri Ridvan Bode, i cili me sa duket nuk ishte në dijeni se kulisave, kërkoi që kompania që duhej të bënte demontimin të përzgjidhej me tender. Sipas Mediut, nuk duhej bërë me tender, pasi nuk kishte kompani të tjera të specifikuara për këtë punë. Në fakt Mediu kundërshton, pasi kishte piketuar kompaninë që me sa duket i kishte thënë Shkëlzeni.
Pas debateve në qeveri në shkurt, në 14 mars 2007, Sali Berisha i delegon Fatmir Mediut, në atë kohë ministër i Mbrojtjes, çështjen e Gërdecit, duke i hapur rrugë asaj që ndodhi një vit më pas. Kështu, tenderin e paracaktuar e bëri vetë Mediu, duke shënuar edhe shkeljen e parë nën ndikimin e Familjes Berisha, shkelje e cila do t’i paraprinte tragjedisë. Koha e zhvillimit të tenderit nga Mediu përkon me vizitat e Shkëlzenit në zyrën e tij. Ky është momenti që Sali Berisha lë gjurmë në biznesin e vdekjes, edhe pse gënjeu pas shpërthimi, duke thënë se nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për Gërdecin.
Në kuadër të këtyre zhvillimeve, është logjike dhe kuptohet arsyeja se pse dy orë pas shpërthimit, ditën e 15 marsit 2008, nga tabulatet telefonike, rezulton se Fatmir Mediu, i telefonon pikërisht Shkëlzen Berishës.
Telefonatën e parë, Mediu e bën me Shkëlzenin në orën 14.08 minuta. Në orën 16.31 minuta, Mediu ka folur sërish 37 sekonda me Shkëlzen Berishën. 10 minuta më pas ka folur përsëri 32 sekonda. Atë ditë Mediu ka zhvilluar një bisedë të katërt me Shkëlzenin, në orën 5 të pasdites dhe ka zgjatur 56 sekonda.
I pyetur rreth këtij fakti, Shkëlzeni tha dje se i kishte telefonuar Mediut për halle familjare dhe për një çështje shëndetësore.
Së pari, nuk është e vërtetë që Shkëlzeni i ka telefonuar Mediut, por Mediu i ka telefonuar Shkëlzenit. Ky detaj është i rëndësishëm pasi tregon se zbatuesit e biznesit në Gërdec i telefonojnë dhe i shprehin shqetësimin Shkëlzenit si të ishte pronari.
Së dyti, ditën e shpërthimit të Gërdecit e gjetën kohën Fatmir Mediu dhe Shkëlzen Berisha për të qarë hallet familjare?!
Megjithatë, le ta marrim të mirëqenë versionin e çmendur që në mes të tragjedisë, Mediu i ka telefonuar një herë Shkëlzenit duke e informuar për shëndetin.
Edhe sikur Shkëlzeni të ishte doktor, nuk ka gjasa që Mediu t’i telefononte 4 herë brenda ditës për halle shëndetësore, aq më tepër disa orë pas shpërthimit.
Nga ana tjetër, si shpjegohet fakti që pas shpërthimit Shkëlzenit i ka telefonuar edhe Mihal Deliorgji?
Si ka mundësi që dy protagonistë të Gërdecit, Fatmir Mediu dhe Mihal Deliorgji, në të njëjtën ditë dhe pikërisht pas shpërthimit qanë hallet familjare me Shkëlzen Berishën?!
2. Raporti me Aldo Bumçin
Faktet dhe provat tregojnë se ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi punonin dhe kopsitnin letrat për të ngritur biznesin e demontimit të municioneve në Gërdec, për llogari të Shkëlzen Berishës.
Për raportin me Aldo Bumçin, Shkëlzen Berisha tha në gjykatë se “Me Aldo Bumçin njihem, kam marrëdhënie miqësorë, për shkak të përfshirjes së tij në politike. E njoh që prej vitit 2004. Bisedat me të kanë qenë personale. Sa i përket faksit, nuk e di se kush e nisi dhe as nuk njoh ndonjë person që ka nisur faksin me atë mbishkrim. Nuk kam bërë asnjë padi për faksin, por në dijeninë time Aldo Bumci e ka bërë një të tillë”.
Për mediat para gjykatës, Shkëlzen Berisha u shpreh se “Ky faks as nuk është nisur nga adresa ime. As nuk ka mbërritur në adresën time. As nuk e njoh atë që e nisur. As nuk njoh atë që e ka pritur. I takon prokurorisë të na thotë nëse faksi është apo jo origjinal. Nëse është i falsifikuar, duhet të na thotë kush e ka falsifikuar, nëse është origjinal duhet të na thotë kush e ka shkruar”.
-Si qëndron e vërteta
Letrat që bënte Ministria e Mbrojtjes me në krye Fatmir Mediun për t’i hapur rrugë biznesit të paligjshëm në Gërdec, duhet të merrnin aprovimin e Ministrisë së Drejtësisë me në krye Aldo Bumçin.
Në këtë kontekst është logjike që krahas takimeve me Fatmir Mediun, Shkëlzen Berish shkonte edhe në zyrën e Aldo Bumçit, i cili ishte ministër Drejtësie.
Ish-sekretarja e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, Anjola Agolli, në dëshminë e saj dhënë prokurorëve implikoi direkt Shkëlzen Berishën, në demontimin e armëve në Gërdec.
Agolli ka pranuar se ajo ka dërguar faksin me shënimin “Për Shkëlzen Berishën…” në një numër faksi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe kujton se “Shkëlzen Berisha erdhi në zyrë dhe u takua me ministrin para se të niste faksin…”
Agolli ka shpjeguar procedurën si e ka protokolluar faksin dhe si është dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes.
Bëhet fjalë për një faks privat që ish-ministri Aldo Bumçi i ka dërguar për informim Shkëlzen Berishës, për t’i kujtuar se ia ka firmosur “Memo”-n që aprovonte biznesin e demontimit të armëve në Gërdec.
Faksi është gjetur rastësisht nga Prokurorët në Ministrinë e Mbrojtjes. Ka shumë gjasa që ky shënim është harruar pa u zhdukur pas shpërthimit të Gërdecit
Faksi përputhet me provat dhe lëvizjet e tjera që tregojnë investimin e Shkëlzenit për biznesin e paligjshëm në Gërdec, duke përdorur pushtetin e babait kryeministër.
Në lidhje me faksin, Shkëlzeni sajoi dje dy gënjeshtra banale.
-Së pari, tha se ishte takuar me Bumçin për arsye elektorale.
-Së dyti, tha se nuk kishte bërë padi për faksin dhe se nuk kishte shkuar në adresën e tij.
Shkëlzeni hynte dhe dilte nga zyra e Aldo Bumçit në fund të vitit 2007. Është një periudhë që nuk përkon me ndonjë fushatë elektorale.
Edhe sikur të ishte kulmi i ndonjë fushate elektorale, Shkëlzeni ka deklaruar gjithnjë se ka qëndruar larg angazhimit politik. Madje edhe dje e theksoi këtë qëndrim.
E marrin të mirëqenë sikur Shkëlzeni kishte nisur kalkulimet elektorale dy vite para zgjedhjeve të 2009 në zyrën e Aldo Bumçit.
Zyra e ministrit të Drejtësisë ka pak gjasa që të përdorej si zyrë partie. Shkëlzeni dhe Aldo Bumçi, kushin plot vende të tjera për të diskutuar për punën e partive.
Nga ana tjetër, pse pikërisht Shkëlzeni gjeti Aldo Bumçim për të diskutuar për çështjet elektorale, kur kishte shumë funksionarë të tjerë me peshë më të madhe politike!
Sa i takon faksit, nga zyra shteti del një dokument për llogari të Shkëlzenit. Nuk ka asnjë logjikë që Shkëlzeni të padiste ministrin e babait të tij se pse po punonte për të. Nga ana tjetër, Aldo Bumçi ka kallëzuar sekretaren për ta trembur dhe detyruar që të tërheqë deklaratat. Nuk ka kallëzuar njeri për faksin, pasi nuk mund të kallëzonte veten se pse po punonte për Shkëlzenin.
Faksi nuk kishte pse të shkonte në adresën e Shkëlzenit. Nuk ka shumë rëndësi se kush e ka shënuar. Faksin ia dërgon Ministria e Drejtësisë Ministrisë së Mbrojtjes, me shënimin për Shkëlzenin, duke nënkuptuar se këto letra janë për biznesin e tij. Faksi tregon se si Sali Berisha i përdorte degët e qeverisë për përfitime familjare, ashtu si në rastin e privatizimit të ish Klubit Partizani.
Sot, Fatmir Mediu, Aldo Bumçi dhe Shkëlzen Berisha vijojnë të mbështesin alibitë dhe të mbrojnë njëri-tjetrin, me shpresë se do të dalin nga kjo histori pa u ndëshkuar.
3. Raporti me Deliorgjin, Shkëlzeni mohoi njohjen para se të dilnin tabulatet
Jo vetëm Fatmir Mediu, por edhe Mihal Delijorgji, biznesmeni që merrej me infrastrukturën e demontimit në Gërdec, i telefonon Shkëlzenit pas shpërthimit. I pyetur për këtë fakt, Shkëlzen Berisha ka deklaruar se “Të gjitha telefonatat me Delijorgjin janë kryer pas vitit 2008. Me sa di unë praktika dhe puna në atë punishte ka nisur që në 2007. Kështu që nuk ka pasur asnjë lidhje me çështje në fjalë. E vetmja telefonatë që ka pasur lidhje me çështjen në fjalë ka qenë e lidhur me të ndjerin për të ditur fatin e tij… Mihalin e mora në telefon kur ndodhi shpërthimi, për shkak se një familjar më kërkoi të interesohesha për shpërthimin. Mihal Delijorgji nuk kishte dijeni për fatin e të ndjerit”.
Nëse Shkëlzen Berisha, siç pretendon duke gënjyer, nuk kishte lidhje me Gërdecin, nga e dinte se Mihal Delijorgji kishte lidhje me Gërdecin dhe ishte personi i duhur që mund të kishte dijeni për fatin e familjarit të Shkëlzenit, në rastin konkret, për Muhamet Hoxhën, baxhanakun e Sali Berishës, i cili humbi jetën nga shpërthimi?
Si u punësua Muhamet Hoxha në Gërdec dhe pse Berisha i ndryshoi emrin disa orë pas vdekjes dhe e mohoi se e njihte i baxhanak?!
A mund të ishte rastësi punësimi i tij në Gërdec?
Sali Berisha arriti deri aty saqë për të mbrojtur Shkëlzenin, mohoi se e njihte baxhanakun Hoxha. Kjo alibi u mbrojt edhe nga Liri Berisha, e cila tha se nuk ia falte vetes gabimin që nuk e kishte prezantuar Berishën me bashkëshortin e motrës së saj.
Faktet dhe rrethanat tregojnë se Mihal Delijorgji dhe Muhamet Hoxha ishin të besuarit e Shkëlzenit në biznesin e Gërdecit.
Në orën 12:10 të 15 marsit 2008 shpërtheu fabrika në Gërdec dhe tragjedia ishte në zhvillim e sipër.
Pas shpërthimit, mes personave të parë që u ka telefonuar pronari i “Albademil” Mihal Delijorgji që merrej me demontimit, është Shkëlzen Berisha.
Sipas tabulateve telefonike, Delijorgji i ka telefonuar Shkëlzen Berishës në orën 12:48 dhe biseda ka zgjatur 54 sekonda.
Dëshmia e Shkëlzen Berishës për Delijorgjin ka dy elemente të rreme.
-Së pari, nuk i ka telefonuar Shkëlzeni Delijorgjit siç pretendon, por Delijorgji Shkëlzenit, çka hedh poshtë pretendimin se Shkëlzeni i ka telefonuar bizesmenit për ta pyetur për fatin e familjarit të tij.
-Së dyti, Shkëlzen Berisha, më parë, mohoi se ka pasur telefonata apo njohje me Delijorgjin. Shkëlzeni ndryshoi mendim pas publikimit të tabulateve, të cilat konfirmuar 44 telefonata me Deliorgjin. Për raportin me Deliorgjin, Shkëlzen Berisha vijon të prodhojë një varg gënjeshtrash sipas rrethanave të reja që zbulohen.
4. Raporti me Rrahman Selmanllarin
Historia nuk mund të ishte kaq e plotë pa Rrahman Selmanllari, i konsideruar edhe si “vëllai” i Shkëlzen Berishës. Selmanllari, i cili në atë kohë përfaqësonte Shkëlzen Berishën në transaksione biznesi apo pasurish të patundshme, u shfaq si përfaqësues i kompanisë amerikane SAC (Southern Anmmunition Company), e cila kishte lidhur një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gërdec. Me autorizim të presidentit të kësaj kompanie, Patrick Henry, Selmanllari ka përfaqësuar veprimtarinë e kësaj kompanie në Gërdec. Pikërisht për këtë kompani Fatmir Mediu debatoi me Ridvan Boden në mbledhjen e qeverisë së 17 shkurtit 2007.
I pyetur për raportet me Rrahman Selmanllarin, Shkëlzen Berisha ka relativizuar lidhjet me të, duke pretenduar se roli i Selmanllarit në Gërdec nuk kishte lidhje me atë.
5. Raportet me Kosta Trebickën
Shkëlzen Berisha mohoi dje para gjykatës dhe prokurorëve të SPAK-ut konflikin me Kosta Trebickën për biznesin e paketimit të fishekëve në Gërdec.
Kosta Trebicka e ka kërcënuar hapur Shkëlzen Berishën se do të fliste për rolin e tij në këtë histori.
Pas shpërthimit, Trebicka ka pohuar se “E paralajmërova z. Shkëlzen se dokumentet do të kalojnë në dispozicion te investigatorëve specialë që do vijnë nga Rocki Aljend nga departamenti i armatimit, të cilët do vononin të nisnin investigimet për këtë skandal në Shqipëri. Unë jam shumë i hapur. Le të bëjnë çfarë të duan. Unë nuk jam i përzierje në këto afera me tha Shkëlzeni. Atëherë unë them se kam bërë shumë mire që e lajmërova z. Shkëlzen sepse e kisha për detyre që ta lajmëroja. Mendova se ai ishte implikuar pa dashje në këto afera dhe mendova se duhet lajmëruar kryeministri, i cili do të merrte masa drastike për të shkatërruar këto plane dhe për të vazhduar ecurinë e punës”. Por, Kosta Trebicka u gjet i vdekur disa javë më pas në 12 shtator 2008.
Më herët, Shkëlzen Berisha ka deklaruar se është takuar me Kosta Trebickën pasi ky i fundit nisi ta kërcënonte se do të fliste, pasi akuzonte Shkëlzenin se e kishte nxjerrë jashtë loje nga biznesi i fishekëve.
“Për të njëjtën arsye të cilën i ndjeri e ka thënë vetë. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe në prokurori. Të njëjtën gjë e vërteton një person tjetër që ka qenë në të njëjtën tavolinë. Arsyeja e takimit ishte se i ndjeri Trebicka kishte krijuar, ose ishte thënë, se unë isha i përfshirë në biznesin e AEY-së dhe unë kisha kërkuar largimin e zotit Trebicka, nga ky biznes. Zoti Trebicka më kërkoi një takim përmes një miku të përbashkët. Jemi takuar të tre. Është bisedë e bërë në gjashtë sy dhe në gjashtë veshë dhe të gjithë deklarimet, e mija, të Trebickës dhe të personit të tretë janë të njëjta. Në këtë bisedë i kam bërë të qartë zotit Trebicka, që kjo është krejtësisht e pavërtetë. I kam thënë nëse ke dyshim për këtë, jam i gatshëm të takohemi me këdo që ti mendon se unë jam takuar, që t’i bind se nuk është e vërtetë, është trillim, i kanë gënjyer dhe mashtruar”.
6. Raportet me Luan Hoxhën dhe kabllogrami i Ambasadës Amerikane
Shkëlzen Berisha mohoi dje para gjykatës dhe prokurorëve të SPAK-ut se kishte kërcënuar shefin e Shtabit, Luan Hoxha, që të çonte në Gërdec municione të kalibrit më të lartë.
14 muaj pas Gërdecit, në 17 qershor 2009, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, Luan Hoxha, i sapo shkarkuar, i kërkon një takim me urgjencë me ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, për të rrëfyer të vërtetën e Gërdecit. Takimi dhe rrëfimit reflektohet në një kabllogram sekret që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit, tre ditë më pas, në 20 qershor 2009. Në kabllogram shkruhet se Luan Hoxha ishte ankuar se Shkëlzen Berisha i kishte bërë presion që të dorëzonte municion të kalibrit të lartë në Gërdec dhe pa vonesa. Sipas kabllogramit “ndryshe nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ia hedh fajin e Gërdecit ushtarakëve, Hoxha deklaron se nga këndvështrimi i tij, Mediu mori të gjitha vendimet që nga zgjedhja e Gërdecit për të shkatërruar municionet, tek çfarë lloj municionesh do të përdoreshin, në çfarë kohe dhe cili do të ishte programi. Hoxha thotë se stafi i tij kishte për detyrë vetëm transportimin e municioneve dhe të ruanin perimetrin e jashtëm, asgjë tjetër. Ai shpjegon se Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit i kishte bërë presion që “të vazhdonte të dorëzonte municione të një kalibri më të lartë në Gërdec” dhe këtë gjë “ta kryente pa vonesa”. I pyetur nga Ambasada nëse ia kishte raportuar këtë fakt Prokurores së Përgjithshme, Hoxha u përgjigj: PO”. Më pas Berisha e shpalli armik ambasadorin amerikan, madje përmes Ilir Metës, tentoi ta dëbonte nga Shqipëria, por kërkesa e Metës si ministër i Jashtëm u refuzuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ndërkaq, Luan Hoxha mori azil politik në SHBA.
7. Lidhja mes Patrik Henrit, Delijorgjit, Selmanllarin dhe Shkëlzenit
Patrik Henri, pronar i SAC, ishte partner me Delijorgjin, i cili ishte pronar i Alba Demil. SAC merrej me demontimin, ndërsa Alba Demil me ngritjen e infrastrukturës dhe rekrutimin e punonjësve, që në fakt ishin gra, fëmijë, por edhe baxhanaku i Sali Berishës, Mehmet Hoxha. Patrik Henri ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë Alba Demil me Delijorgjin. Nga ana tjetër, Patrik Henri përfaqësohej nga shoku i Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari, ndërsa vetë Shkëlzeni lëvizte fijet lart, duke pasur babin, Sali Berishën, kryeministër. Kur shpërtheu Gërdeci, Patrik Henri dhe Dlijorgji nisën të akuzonin njëri-tjetrin si përgjegjës dhe madje të implikonin edhe emra të tjerë. Kur prokurorët amerikanë e morën në pyetje për llogari të drejtësisë shqiptare, Patritk Henri u shpreh se “Ylli Pinari (ish-drejtori i MEIKO nën varësinë e Mediut dhe Berishës) më prezantoi mua me Mihal Delijorgjin. Ne u takuam në House of Pasta në Tiranë, Shqipëri. Mu tha se ai kishte çmilitarizuar tanke për MEICO dhe ishte shumë i familjarizuar me drejtimin e biznesit si në Shqipëri dhe me MEICO. Gjithashtu mu tha se ai kishte një kompani ndërtimi, e cila mund të ndërtonte çdo ambient të nevojshëm si dhe të siguronte fondet, që kërkoheshin për të blerë lëndën e parë”.
8. Përfshihet Fahri Balliu i besuari i Berishës dhe Shkëlzenit
Pasi fitoi tenderin nga Mediu, falë lobimit të Shkëlzenit, Deligjorgji ngriti një kompani ndihmëse, për të kryer punimet në Gërdec, për ngritjen e fabrikës, brenda një territori ushtarak, ku në këtë fazë del në skenë si përfshirë edhe Fahri Balliu, një personazh pranë Sali Berishës dhe Ilir Metës, i implikuar edhe në afera të tjera si dhe objekt i disa kabllogrameve që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka nisur DASH. Vajza e Fahri Balliu ishte aksionere me 20 % në kompaninë ‘Trans Digging Construction”, të Delijorgjit, që po ndërtonte fabrikën. Ajo u largua nga kompania sapo shpërtheu Gërdeci, ndërsa nuk u pyet kurrë nga prokuroria. Nuk është rastësi që Deliorgji të zgjidhte Fahri Balliun, i cili ishte i besuar i Berishës dhe rrjedhimisht edhe i Shkëlzenit. Rrethi duhej të ishte mbyllur dhe i besuar.
9. Efraim Diveroli: Kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te kryeministri dhe djali i tij
Efraim Diveroli ishte një trafikant armësh nga Florida. Ai ishte presidenti i kompanisë “AEY”, e cila blinte municione kineze në Shqipëri për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë. Me këto para, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kërkoi të furnizojë forcat afgane të sigurisë me municione, por Diveroli shkeli embargon e SHBA-ve ndaj municioneve dhe armëve kineze. Fishekët kinezë manipuloheshin me ambalazh tjetër në Gërdec. Gjatë përgjimeve të Diverolit dhe Trebickës para shpërthimit të Gërdecit, Diveroli shprehet se në Gërdec janë implikuar Sali Berisha si kryeministër dhe Shkëlzeni, të cilët i konsideron si mafien më të fortë. Ndër të tjera, Efraim Diveroli shprehet se “…kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë…”. Përgjimet janë pranuar nga Berisha dhe Shkëlzeni. Por, edhe Diveroli, ashtu si Luan Hoxha dhe Trebicka, më pas është tërhequr në mënyrë të dyshimtë, duke deklaruar se ka gënjyer./Shqiptarja.com