Gjykata e Posaçme nesër do të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e SPAK që ndaj Sali Berishës të caktohet masë sigurie arrest shtëpie si dhe të ruhet te dera me një punonjës të Policisë.
Avokati Spartak Ngjela në “Frontline” në Report Tv me Marsela Karapançon tha se nuk është i pari Berisha me një masë të tillë. Kjo kërkesë sipas Ngjelës është e ligjshme nga ana ligjore duke iu përgjigjur zërave kundër.
“Gjykata ka dy vendime për Saliun. Një në favor, pra të parën e ka kundër dhe të dytën në favor. Si zor të përjashtohet gjyqtarja”.
“Kur thuhet se nuk e pranon ligji duhet të thuash dispozitën se nuk lejohet. Të gjithë janë ruajtur me policë te dera. Tani po e dëgjojmë për herë të parë se nuk duhet. Pashë vendimin e gjykatës që thotë të ruhet me policë. Vendimi i gjykatës është më i fortë se ligji. I dëgjoj këta, këta s’kanë fare kulturë ligjore. Vendimi i gjykatës thotë këtë këtë… por problemi qëndron se nuk e kanë shkelur asgjë në funksion të ligjit asnjë të drejtë nuk është shkelur.”
Nëse Gjykata nesër pranon kërkesën e SPAK për Ngjelën do të thotë se është e nevojshme që ai të ruhet nga policë, sepse juridikisht siç nënvizon avokati arrest pa mbrojtje nuk ka.
“Kjo është zë në shkretëtirë. Në ke një vendim gjykate që ka vendosur këtë duhet ta atakosh vendimin e gjykatës sepse nuk ka forcë tjetër që ta neutralizojë. Nëse vendimi i gjykatës atakohet kjo është e saktë. Gjykata e merr nesër vendimin. Kërkesa e prokurorisë është me mbrojtje policore. Tani e pranon apo jo gjykata do e shikojmë nesër. Kam përshtypjen se do e pranojë se i ka pranuar të gjithë të tjerët. Ligji thotë arrest shtëpie, por arrest pa mbrojtje shtetërore nuk ka nëse do të flasim juridikisht”.
Në këtë masë sigurie, theksohet se Berishës i ndalohet komunikimi me çdo person tjetër, përveçse me ata që jeton në të njëjtën banesë. Nëse GJKKO e pranon, edhe kjo kërkesë avokati thotë se duhet respektuar.
“ Po e ndaloi gjykata nuk lejohet. Të gjitha janë në dorë të gjykatës. Nëse s’je dakord me vendimin e gjykatës çoje në gjykatë të lartë. Nuk merrem me populizma.”
Deklaratat e Berishës, Ngjela i quan komike. Sipas tij GJKKO do ta pranojë kërkesën e SPAK nisur nga fakti se ish kryeministri nuk ka përfillur ligjin duke mos respektuar masën e sigurisë detyrim paraqitje për aferën e Partizanit.
“Kjo është komedi. Personat që janë duke u pushtuar nga tragjedia shpesh herë mbrohen me komedi. Kjo është aksiomë në juristprudencë… Nëse gjykata vendos arrest shtëpie me policë dhe pa komunikim s’ka zot që t’ja japë. Shenjat janë që do t’ja heqin të gjithë të drejtën sepse nuk respektoi ligjin.
Mungesa e respektit ndaj ligjit është mospërfillje e forcës shtetërore, jo e gjykatës. Sepse forca shtetërore vjen dhe kalon përmes një gjykate. Ka bërë gabim. Vazhdon gabimin, puna e tij është…”/m.j