Ish-kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, njëherësh ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka komentuar situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek zhvillimet brenda opozitës dhe çështjes “Berisha”. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ish-deputeti Braho thotë se nuk ka ngjashmëri në lidhje me çështjen e drejtësisë mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës, ndërsa e cilëson si hakmarrje politike të këtij të fundit. Madje Braho kujtoi edhe fjalët e Fatos Nanos për mediat pasi doli nga burgu në vitin 1997 dhe u pyet për Sali Berishën, i cili qysh asokohe paralajmëroi situani e vështirë në të cilën ndodhte kreu i Rithemelimit, për shkak se ka llogari të hapura me drejtësinë. Po ashtu, zoti Braho zbuloi se Berishës i është hequr imuniteti në vitin 1998 për grusht shteti e se refuzoi që të paraqitej në komision. Braho theksoi se Sali Berisha u mor me forcë asokohe, ndërsa shtoi se nuk u paraqit asnjëherë në prokurori.
Nga ana tjetër, ish-ligjvënësi socialist komentoi edhe zërat se kush mund të jetë pasardhësi i Berishës në krye të “Foltores”, duke qenë se ish-kryeministri është duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) sa i takon aferës “Partizani”. Nga ana tjetër, për ish-deputetin, afera në kompleksin “Partizani” është gjysma e atyre që mund të akuzohet Sali Berisha. Sipas Brahos, mbi Sali Berishën rëndojnë krime të tmerrshme. Duke iu referuar padisë së motrës së Haklajve, Braho tha se autoritetet suedeze po e hetojnë në Tiranë Berishën. Më tej Braho shtoi se janë 260 djem tropojanë të vrarë e për këtë një mënyrë direkte apo indirekte duhet të përgjigjet Sali Berisha.
-Zoti Braho, ishte i pritshëm vendimi Kuvendit që i hoqi imunitetin Sali Berishës për t’i hapur rrugë më pas arrestimit të tij?
Ishte i pritshëm dhe u thyen të gjitha parametrat ligjor, foli edhe Gjykata Kushtetuese. Do të ekzekutohet vendimi, unë e kam thënë Berisha po bënë gabime të njëpasnjëshme. Edhe avokatët e këshillojnë keq.
-Ku ka gabuar Sali Berisha, sipas jush?
Saliu akoma si bindet ligjet, përpiqet që ë kapet pas kleçkave ligjore si i mbyturi pas fijes së kashtës. Do vejë në burg është çështja apo do shkoj në arrest shtëpie. Berisha futi Nanon në burg dhe nëse ai do vijojë me këtë këmbëngulje ka ardhur koha që të përsëritet historia. Njëherë tha do t’i bindem Kuvendit, pastaj thotë nuk i bindem Kuvendit, pastaj mblodhi disa njerëz atje, një situatë jonormale. Berisha është në panik total. Jeton në panik dhe në terror. Rithemelimi nuk është më parti është turmë. Partia ligjore është ajo e Lulzim Bashës.
-Po qeveria Rama po performon mirë apo situata e opozitës po i shkon në favor?
Nuk është problemi se po performon mirë, në pamje të zhvillimeve makro ka rezultate por nuk është atje ku duhet. Shtresat në nevojë dhe pensionistët janë në krizë ekonomike dhe kanë probleme të thella dhe në këtë fushë nuk ka rezultate. Duhet mbështet bujqësia, duhet subvencionime për fermerët që duhen shpërndarë urgjentë. Nuk është se Edi Rama e ka të vështirë me opozitën sepse opozitë nuk ka.
-Shihni një pasardhës të Sali Berishës?
Qarkullon një emër, Saimir Mane, ai vjen nga shtresa të pasura dhe është biznesmen që është i përkrahur nga qeveritë. Dhe duket se ka premisa për t’u futur në politikë. Dëgjova një deputete të PD në logjikën e saj nuk e duron dot më Berishën duhet që të ik thotë, por s’ është vetëm ajo, ka edhe të tjerë që e mendojnë këtë. Rama i duhet vënë frena të forta dhe këtë detyrë e ka opozita. Po bëhen investime jo prioritare dhe jo në interes publik. Megjithatë ai ka një mendim dhe një filozofi të tijën për të realizuar projektet që ka në mendje.
-Si e shikoni lëvizjen e SPAK, e cila ka vendosur t’i kërkojë Gjykatës së Posaçme (GJKKO) ashpërsimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha nga “detyrim paraqitje” në arrest shtëpie”?
Arresti si në shtëpi si në burg është arrest. Nëse ai do zbatoj kërkesat që parashikon rregullorja për arrest në shtëpi mirë, nëse jo burgu atje është. Unë e kam ndjekur arrestin që iu bë Nanos në atë kohë dhe ishte një burgosje politike me nxitje të Berishës, sepse në fund Nano mori pafajësi të plotë. Kur doli nga burgu në 1997 u pyet do hakmerresh ndaj Berishës ta fusësh në burg, jo tha, Berisha do ta fus vetë veten e tij në burg dhe i doli fjala. Tani kemi drejtësi të re dhe prokurori të re. Na presin ngjarje të rëndësishme këta nuk kanë ndërmend që të punojnë. Opozita jo shpejt do ta gjej veten për tu kthyer në një strukturë efikase dhe serioze.
-Ndërkohë le të kthehemi pak pas në kohë dhe të komentojmë grushtin e shtetit të 1998 të provokuar nga Sali Berisha. Si e kujtoni ju dhe a u përballa Berisha me ligjin për kaosin e dhunën që mbolli asokohe?
Saliu e mban veten si kampion i zbatimit të ligjit, por ai është thjeshtë një mashtrues ordiner. Në vitin 1998 prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të Sali Berishës për grusht shteti. Unë kam qenë kryetar i komisionit në atë kohë. E thirra disa herë që të paraqitej për të shqyrtuar. Ishte një komision miks. Madje një nga anëtarët më aktiv ishte Nikoll Lesi që votoi pro heqjes së imunitetit. Ata të PD-së nuk qëndruan, ikën nga komisioni. E morëm forcërisht Sali Berishën, ja komunikuam se komisioni ka vendosur të heqë imunitetin. Masë të cilën e miratoi po atë natë Kuvendi. 4 vite prokuroria e thirri vazhdimisht dhe ai nuk u paraqit asnjëherë. Ky është Sali Berisha. Unë atë kam hall se ky do të dalë do të bëjë rrëmuja, se do t’i shkojë polici poshtë shtëpisë dhe do të kërcënojë u hodha nga ballkoni.
-Po përveç ’98 a është Sali Berisha i implikuar në zullume?
Rigels, Sali Berisha ka kryer vepra të rënda, jo vetëm për ish-klubin “Partizani”. Privatizimi i ish-kompleksit “Partizani” është gjysma e atyre që akuzohet. E kërkojnë edhe suedezët Sali Berishës. Kanë ardhur suedezët e Tropojës. Mbi Berishën dhe shpatullat e tij rendojnë krime të tmerrshme. Janë 260 djem tropojanë që janë vrarë të cilët thërresin për drejtësi, do të thirret ai direkt dhe indirekt. Fillojnë pas ’97. Ai duhet të përgjigjet edhe për burgosjen e Adem Jasharit, ’93. Në ’96 Hashim Thaçin./sot
Shprehja Brahos se nje opozite e forte duhet te ndaloj Ramen per investime pa plan qe i vine ne mendje dhe nuk kane impakt ne ekonomi eshte e sakte.Rama ne 2025 nuk duget te jete me kryeminister i Shqiperise.Bravo e nadhe per shume gjera pozitive qe ndryshuan faqen e Sgqiperise por me aq mhafton . Nje figure e re me kolegjiale duget ta zevendesoj