Në prag të festave të fundvitit, edhe këtë herë “Babagjyshët” nuk harruan që të surprizojnë me dhurata fëmijët që janë të shtruar te Pediatria dhe janë të detyruar që t’i kalojnë aty këto ditë.
Djemtë e shërbimit të kërkim-shpëtimit malor u veshën si Babagjyshë dhe u ngjitën nga dritaret e pediatrisë për t’i bërë një surprizë shumë emocionuese vogëlushëve.
Ornold Bazaj dhe Kozma Prendi, nga Ekipi i Grup Shpëtimit Malor të Shqipërisë treguan në emisionin GoodMorning Albanians në Euronews Albania se ishin 15 pjesëtarë të ekipit të tyre, të cilët të veshur si Babagjyshë, u kacavirrën në dritaret e Pediatrisë për të lumturuar vogëlushët e sëmurë.
“Disa dhurata janë dhënë nga dritarja dhe së bashku me studentët e mjekësisë kemi vizituar të dy stacionet e Pediatrisë, kemi hyrë edhe nga shkallët, kemi qenë një numër mjaft i madh, rreth 15 Babagjyshë.
Ka qenë mjaft frytdhënëse dhe kemi parë që kemi dhënë një mesazh shumë të mirë. E dimë që janë fëmijë ne Pediatri se janë në atë gjendje dhe kur shikonim që ata buzëqeshnin dhe thoshin faleminderit që erdhe, ne na jep një shtysë për ta vazhduar këtë nismë që kemi marrë, jo vetëm në Tiranë por në çdo institucion ku ne mund të kemi në dorë diçka për të bërë dikë të lumtur”, thanë ata.
/f.s