Vangjel Dule, ka reaguar për mediat greke pasi kryeministri Edi Rama pak ditë më parë bëri me dije se do të largojë nga drejtimi i bashkisë së Himarës, Jorgo Goron.
Në një intervistë për “SKAI.gr”, kryetari i PBDNj, Dule ka deklaruar se Jorgo Goro i ka dorëzuar të premten, 22 dhjetor, dorëheqjen e tij nga drejtimi i bashkisë, prefektit të qarkut të Vlorës.
Sipas tij në orët në vijim qeveria do të vijojë me emërimin e kryetarit të ri të bashkisë në Himarë, duke anashkaluar Fredi Belerin, i cili i fitoi zgjedhjet, por ndodhet në burg nën akuzë për blerje votash.
Kujojmë se në një reagim në “X”, duke iu referuar vendimit të GJKKO-së që nuk dha lejen e posacme për betimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur, Rama paralajmëroi shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut ende në detyrë të Himarës, Jorgo Goro.
“Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës”, u shpreh Rama.