Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shkodër për shpërndarjen e kartave të anëtarësisë për të ardhurit e rinj në Partinë Socialiste. Ashtu siç ka vepruar në çdo takim të tillë në rrethe, në fund të fjalimit Rama shpërndau personalisht disa karta së bashku me deputetët e zonës.
Për t’i dhënë kartën një maturanteje, Rama ftoi “profesoreshën” Mimoza Hafizi siç tha ai. Siç dihet deputetja Hafizi është ndër mbështetëset e Ben Blushit dhe ka shprehur kritikat në të shkuarën për shkeljen e statutit.
Por, me sa duket kreu i mazhorancës nuk e priste që Hafizi ta kritikonte hapur kreun e mazhorancës sa i takon debatit për zgjedhjen e kryetarit të partisë edhe në takimin e Shkodrës ku madje e ftoi vet në podium.
Hafizi tha para anëtarëve të rinj se do të donte t’i shikonte ata të afroheshin në PS si të barabartë, ku të mund të bënin karrierë nëpërmjet zgjedhjeve. Kjo deklaratë vuri në siklet kreun e mazhorancës i cili me sa duket u gjet i papërgatitur.
Edi Rama: Thërrasim një profesoreshë t’i japi kartën, Mimoza Hafizin.
Mimoza Hafizi: Unë nuk jam vetëm profesoreshë, por edhe politikane, që mos të flasin vetëm politikanët burra po them dy fjalë.
Edi Rama (i drejtohet anëtares së re që largohet nga podiumi): Elma hajde këtu se je në parti, hajde rri me Mozën.
Mimoza Hafizi: Unë besoj se secili mund të ketë disa arsye pse vjen në PS. Por pse sipas meje do dëshiroja të vinit ju, shpresoj që vini për karrierë të gjatë. Të merituar, dhe progresin e karrierës ta meritoni. Që mos të lejoni të shpërfilleni as ju dhe shoqet e shokët e tuaj. Besoj se keni ardhur në PS për të gjetur një strukturë demokratike ku secili ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedhë. Duke zgjedhur më të vlefshmin duke filluar nga kryetari i organizatës deri te kryetari i partisë. Shpresoj se vini në PS për qeverisje më të mirë, një kolegjialitet, për respekt. Nëse doni një parti më të mirë për një Shqiëpri më të mirë unë them ardhët sa më parë dita që PS të jetë në dorën tuaj.
Por nuk mungoi edhe përgjigjia nga Rama në një moment të dytë.
Edi Rama: Me Mozën kemi një problem për mandatin e kryetarit. Do e zgjidhim në mënyrë demokratike. Moza thotë duhet zgjedhur. Çështjen e kryetarit do e zgjidhim me votim të fshehtë. Do t’i pyesim të gjithë, me votim të fshehtë. Unë gati jam, zgjidheni si ta doni.