Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Krishtlindjes.
Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, kryepeshkopi Anastas bën thirrje për durim plot shpresë.
“«.. le të ecim përpara me durim në betejën që na pret…» (Heb. 12:1)
Krishtlindja, e kremtja kulmore e krishterë, nuk është thjesht një rast për të shkëmbyer urime dhe dhurata, për ngrohtësi familjare, për të dëfryer, dhe që sjell ngazëllim shpirtëror në jetën shoqërore. Është, mbi të gjitha, një burim i pashtershëm shprese së shumanshme – për vlerën e çdo qenieje njerëzore, për rrugëtimin e njerëzimit, për domethënien e jetës. Lindja e Krishtit shpall kremtueshmërisht se “Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Jn. 3:16). Pra, nuk jemi të vetëm në peripecitë e kësaj jete. Biri dhe Fjala e Perëndisë, nëpërmjet Mishërimit të tij, mori tërë natyrën njerëzore, ashtu siç është, shpirtërore dhe materiale, dhe i dha trajtë të re. Është një Ngjarje që përbën thelbin e zbulesës së krishterë: “Perëndia u shfaq në mish” (1 Tim. 3:16). Kjo shfaqje e dashurisë së Perëndisë “në mish” përbën veçantinë unike të besimit të krishterë. Le ta theksojmë “përsëri dhe përsëri”: Perëndia, Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë nuk është një energji, një urtësi apo një fuqi e papërcaktuar jopersonale. Është Perëndi personal, dhe si Person i zbulohet njeriut, ndërsa ky i fundit ndodhet në një marrëdhënie të vazhdueshme me të. Një marrëdhënie që bëhet e prekshme për tërë qenien njerëzore: “Perëndia është dashuri. Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të” (1 Jn. 4:16). Ky Perëndi nuk e braktisi botën, të cilën e vret egoizmi, urrejtja, padrejtësia, dëshpërimi. E kremtja e Krishtlindjes na fton të sjellim ndër mend se shpresa e pranisë së Tij në jetën tonë përbën burimin e durimit.