Vrasja e 27-vjeçares, Vanessa Ballan, në Treviso të Italisë nga shqiptari Bujar Fandaj ishte e paralajmëruar. Pas një viti lidhje, 27 vjeçarja kishte vendosur t’i jepte fund gjatë verës, por shqiptari nuk e kishte pranuar ndarjen. Ky i fundit ishte paraqitur në supermarketin ku ajo punonte dhe e kishte kërcënuar se “do ta vriste” në rast se nuk ribashkoheshin.
Por episodi më i rëndë është shënuar kur ai i shkoi edhe në shtëpi përsëri në muajt e verës. Pas kësaj Vanessa i ka treguar gjithçka partnerit të saj Nicola Scapinello, duke e bindur që ta shoqëronte për të bërë denoncim.
Më 25 tetor ata bënë një denoncim në polici dhe më 27 tetor policia kontrolloi shtëpinë e Fandajt, duke sekuestruar tre telefona, në të cilët ndodheshin video intime me të cilat ai e kërcënonte se do t’i publikonte. Por pas sekuestrimit të telefonave nuk u mor asnjë masë tjetër.
Prokurori i Trevisos Marco Martani pranon se ndoshta rreziku për këtë rast është nënvlerësuar.
“Kolegu nuk besonte se ekzistonte një rrezik i afërt. Do të përpiqemi të kuptojmë nëse kemi bërë diçka të gabuar”, tha ai./m.j