Tetë vite pas tragjedisë së Gërdecit, familjarët e viktimave kërkojnë shpagim të dëmit pasuror për humbjen e jetës së viktimave dhe të pasurisë së tyre. Dritan Cani, është një nga personat që ka humbur babain nga tragjedia e Gërdecit, ndërsa motra dhe vëllai i tij, ende kanë në trup shenjat e asaj tragjedie. Teksa na tregon kalvarin e vuajtjeve që ka kaluar në gjyqe, ai është më i vendosur se kurrë për të gjetur drejtësi. Është i surprizuar me indiferencën e kësaj qeverie, e cila sipas tij, kur ishte në opozitë e quante krim shtetëror, ndërsa tani në pushtet thotë se qeveria nuk kishte përgjegjësi dhe merr në mbrojtje Ministrin e Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediun.
Çfarë pasojash ka patur familja juaj nga tragjedia e Gërdecit?
Unë kam humbur babanë nga ajo tragjedi. Ndërsa motra dhe vëllai janë plagosur. Të dy, edhe sot që flasim, kanë akoma shenja në trup. Edhe psikologjikisht ende kanë pasoja nga ajo dramë që kanë pësuar. Të gjithë kemi pasoja nga ajo tragjedi. Asnjëherë nuk mund të përmirësohemi. Ka lënë gjurmë të mëdha te të gjithë anëtarët e familjes. Le të mos flasim pastaj për dëmet materiale. Pavarësisht pasojave që kemi përjetuar, ne sot nuk kemi marrë asnjë dëmshpërblim. E padrejtë. Nuk ia kishim borxh shtetit gjithë këtë që na solli në shtëpi. Këtë lloj fature të madhe, si në humbjen e njerëzve më të dashur dhe me shkatërrimin e gjithçkaje që kishim. Nuk mund t’ja bëjmë kurrë hallall shtetit. Ata na sollën gjëmën në familje, nuk është se e kemi kërkuar. Si mund të bëhej demontimi i armëve në mes të shtëpive të banimit.
Çfarë kujtoni nga ajo ditë?
Çfarë të kujtojmë? Ne nuk duam ta kujtojmë atë ditë. Por ja që jemi të detyruar. Se mos është ndonjë ngjarje e bukur. Jemi tradhtuar nga të gjithë. Si nga drejtësia ashtu dhe nga politika, pa dallim. Të gjithë e mbani mend se çfarë tmerri patëm kaluar. Ajo që më nervozon më shumë sot, është kur kujtoj se organet e drejtësisë nuk kanë bërë detyrën që i takonte. Imagjino, ne sot i shohim në televizion njerëzit që na kanë shkaktuar atë tragjedi. Ata sot duhet të ishin duke vuajtur dënimin. Asnjë prej atyre nuk është në qeli. Kemi protestuar si para gjykatës dhe prokurorisë që të rihapet çështja “Mediu”, dhe të tjerëve që ishin të përfshirë në atë ngjarje. Është tmerr. Nuk kemi shpresë te drejtësia, por as te e majta dhe e djathta, 26 të vrarë dhe askush nuk u dënua për vrasjen e tyre. Kanë kaluar tetë vjet nga tragjedia e Gërdecit, çfarë është bërë deri më tani nga drejtësia.
Jeni dëmshpërblyer?
Deri tani nuk kemi marrë asnjë kacidhe dhe asnjë shpërblim për dëmet që na janë shkaktuar nga tragjedia e Gërdecit. Është turp që edhe pas kaq vitesh ne bredhim nëpër gjykata për të kërkuar atë që është dashur ta fitonim që atë vit. Është turp. Mbetëm duke u zvarritur nga një gjykatë në tjetrën. Tashmë ka filluar të na zbehet edhe shpresa se një ditë do të fitojmë atë që na morën. Drejtësia na ka rënë shumë në qafë, por dhe nga qeveritë nuk kemi pasur asnjë mbështetje. As të djathtët dhe as të majtët nuk e kanë “çarë kokën” për ne. Të them të drejtën, nga demokratët nuk kemi pritur gjë sepse e dimë se ata duke qenë të përfshirë dhe na kanë mënjanuar gjatë gjithë kohës. Ndërsa nga të majtët kemi pasur shpresa të mëdha. Para se të vinin në pushtet na patën premtuar se do të na mbështesin direkt, dhe do të ndikonin dhe te drejtësia që t’i jepte prioritet çështjes tonë tashmë të ndërkombëtarizuar. Por tani që e mendojmë shihet se kanë qenë vetëm premtime që bëjnë partitë politike kur janë në opozitë. Pushteti i tjetërson njerëzit. Zoti Rama kur ishte kryetar i opozitës në takimin që kishim me ‘të, na pati premtuar që kur të vinte në pushtet do të vendoste drejtësi dhe do të sqaronte deri në fund këtë çështje. Deri tani asnjë përpjekje, as prej tij për të vendosur drejtësi. Për të djathtët pastaj mos të flasim. Ata janë keq e më keq.
Ju thoni që asnjë opozitar dhe asnjë zyrtar i kësaj qeverie nuk ju ka takuar këto kohë?
Këta të opozitës nuk i kemi parë as gjatë kohës kur na sollën tmerrin në shtëpitë tona, as tani. Ata na shmangen gjatë gjithë kohës dhe mundohen t’i qëndrojnë larg çështjes tonë, nuk e di pse. Kurrë nuk i kemi pasur në krah. Shkurt muhabeti, si të majtët dhe të djathtët janë treguar indiferentë me ne. Na kanë sorollatur pafund edhe sa i përket 3 për qindëshit nëpër gjykata. Tani e ka marrë përsipër shoqata e “Sorosit”, e cila ka financuar pjesën më të madhe dhe tani nuk kemi nevojë të financojmë fare tre për qindëshin, ndërsa një pjesë e kanë paguar vetë. Deri tani një pjesë e familjarëve të Gërdecit kanë marrë vetëm vendimin e Gjykatës Administrative, ndërsa shteti jo vetëm që nuk na ka ndihmuar, por na ka çuar në apel për këto vendime që i kemi fituar, duke i hapur rrugë proceseve tjera gjyqësore. Edhe pse jemi dërrmuar ekonomikisht ne nuk do të dorëzohemi për të marrë atë që na takon. Po presim përgjigjen e Gjykatës së Apelit, nëse nuk do të flasë drejtësia këtu ne do të jemi të detyruar të shkojmë deri në Strasburg.
Shekulli