Në fotografi shihet se skena madhështore, njësoj sikurse edhe salla gjigante me ballkone, e arsyetojnë epitetin operë mbretërore. Sopranoja nga Kosova për herë të parë e kishte shkelur këtë skenë në prill të vitit të kaluar. Gati një vit më vonë Marigona Qerkezi do të rikthehet para audiencës arabe, shkruan “Koha Ditore”.
Ajo tashmë ndodhet në Oman, ku po bën provat për t’u prezantuar në Operën Mbretërore të Muscatit, kryeqytetit të këtij vendi në Gadishullin Arabik (Royal Opera House Muscat). Aty rikthehet me të njëjtin rol – në operën “Fyelli magjik” të Wolfgang Amadeues Mozart. Është produksion i “AsLiCo” dhe është realizuar nën regji të Stefano Simone Pintorit dhe dirigjent është Alessandro Bonato.
“Kthehem me rolin e Mbretëreshës së Natës nga ‘Die Zauberflöte’ e Mozartit. Shfaqjet do të jepen deri në fund të muajit mars”, ka thënë Qerkezi, e cila vitin e kaluar ishte ngjitur tri herë të performojë këtë rol para audiencës arabe. Në udhëtimin e dytë drejt Lindjes së Mesme, ajo do të ngjitet në skenë gjashtë herë.