Me ftesë të kryeministres Giorgia Meloni, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte i ftuar në ditët e politikës, kulturës, debatit në ‘Atreju 2023’ që mbahet në Romë. Ky aktivitet zgjat 4 ditë nga 14 dhjetori në 17 dhjetor.
I ftuar në panel Rama u pyet për marrëveshjen me Italinë për emigrantët për të cilën u shpreh besimplotë se pakti mes dy shteteve nuk ka asgjë antikushtetuese dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të mësohej shumë shpejt.
“Është bërë zhurmë për një marrëveshje që është një marrëveshje normale mes dy vendeve me emra të ndryshëm por që unë i shoh si dy pjesë të të njëjtit popull. Për ne italia ka qenë gjithmonë pjesë e jona edhe kur nuk mund të vinim përtej detit.
Askush nuk duhet të frikësohet apo mrekullohet kur ne bëjmë marrëveshje që kanë qëllime dhe interesa të përbashkëta. Është gjithmonë një nder të japim një ndihmë kur Italia na kërkon dhe është gjithmonë privilegj që të njihemi si miku special i Italisë.Duhet të bëjmë gjithçka që të jemi, vendi vëlla i Italisë.”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë u ndal gjatë te marrëveshja për emigrantët, ku tha se nuk ka asgjë antikushtetuse, ndërsa zbuloi faktin se ka pasur kërkesa nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, por janë refuzuar.
“Kjo është provë që nuk i kontrolloj gjykatat në Shqipëri. Marrëveshja nuk ka asgjë antikushtetuese, të shohim të presim, me qetësi vendimin.
Deri në mars është kufiri kohor, por jam besimplotë se vendimi do të merret shumë më parë sepse është marrëveshje shume e rëndësishme mes dy shteteve, sepse dy vendet duan të dinë nëse duhet të ecet para”, tha ai.
Ai theksoi se kjo marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë është një përpjekje për ‘ti gjetur një zgjidhje, në një kohë kur vendet e BE-së mes njëra tjetrës nuk kuptohen siç duhen.
“Është një përpjekje për të gjetur zgjidhje, në një situatë ku është e qartë se be nuk ia del të kuptohet njëri me tjetrin për zgjidhje dhe nuk kuptohet mes vet për zanafillën e problemit”, theksoi ai.
Kryeministri u pyet nëse këtë marrëveshje do ta kishte bërë me vendet e tjera, për këtë Rama dha përgjigje të prerë: “Jo! Ne kemi pasur kërkesa me vendet e tjera të BE, por ne kemi thënë jo. Italia është një vend si motër”, tha ai./m.j