Një ngjarje e paprecedentë e ndodhur brenda një godine ku ishte mbledhur këshilli i fshatit Keretsk, në Ukrainë, është kapur në kamera.
Në video shihet momenti i tmerrshëm kur politikani lokal Serhiy Batrin hedh në mes të sallës dy granata gjatë mbledhjes në këshillin e fshatit, në rajonin e Zakarpattia.
54-vjeçari fillimisht qëndron para derës, duke ndjekur debatin e nxehtë të këshilltarëve të pranishëm në seancë, e më pas nxjerr nga xhepi grantat që i mban në secilën dorë, ndërsa u drejtohet i inatosur të tjerëve.
“A mundem?”, pyet ai përpara se t’i hedhë granatat në dysheme dhe ato të shpërthejnë duke shkatërruar sallën dhe lënë të plagosur rëndë 6 prej këshilltarëve.
Sipas raportimeve nga mediat ukrainase Batrin ka shpërthyer edhe një granatë të tretë.
“Këmbët e mia, nuk mund të eci… këmbët e mia janë prerë”, dëgjohet të thotë një prej të plagosurve.
Një tjetër thotë: “Telefononi ambulancën”. E më pas dikush dëgjohet të thotë: “Më nxirrni jashtë”.
Në total kanë mbetur të plagosur 26 persona, por fatmirësisht asnjë nuk ka ndërruar jetë. Politikani që hodhi granatat besohet se është në mesin e të plagosurve rëndë, por mjekët e kanë mbajtur në jetë.
Batrin është një përfaqësues i këshillit për partinë “Shërbëtori i Popullit”, e themeluar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Ai punon në komisionin e rendit dhe ligjit të këshillit të fshatit.
Policia ukrainase po heton për të zbardhur motivin e ngjarjes që duket të jetë një akt i mirë menduar nga këshilltari 54-vjeçar. Akti nuk besohet të ketë lidhje me luftën Rusi-Ukrainë.
/a.r