Drejtori i Përgjithshëm i Kufirit, Genc Merepeza, deklaroi në studion e lajmeve të Ora News se asnjë emigrant nuk do të lejohet që të përdorë Shqipërinë si vend tranzit për të shkuar në vende të tjera të BE.
Situata në kufirin shqiptar, tha Merepeza, është nën kontroll, dhe nëse emigrantët do të kërkojnë strehim në vendin tonë atëherë do të ndiqen porcedurat ligjore për të parë se kush përfiton.
Merepeza: Nëqoftëse këta shtetas do të kërkojnë mbrojtje humanitare zbatohet një proçedurë e veçantë, që është proçedura e përzgjedhjes për azilkëkruesit. Kush do të kërkojë që Shqipërinë ta ketë si tranzit nuk do të lejohet të kalojë.
Drejtori i kufirit deklaroi se Shqipëria nuk i kapacitetet e mjaftueshme për të pranuar shumë emigrantë, ndërsa vendimi për ta bërë një gjë të tillë duhet të merret në bashkëpunimim me vendet e tjera.
Merepeza: Kemi një qëndër që është në afërsi të Tiranës që mund të shkojë deri në 200 persona, kemi qëndrën e azilkërkuesve në Tiranë që edhe kjo ka një kapacitet të limituar që mund të shkojë 150-200 persona dhe për më tepër Shqipëria është e vogël për të përballuar një fluks të madh.
Dhe për të parandaluar depërtimin e personave të rrezikshëm, Drejtori i Kufirit deklaroi se me ndihmën edhe të forcave italiane do të bëhet regjistrimi i çdo emigranti, në rast kalimi në Shqipëri.
Merepeza: Këto ekspertë janë të mirëpritur të asistojnë policinë kufitare lidhur me identifikimin e personave që do të hyjnë në territorin shqiptar. Ne duam që çdo njeriu ti japim një emër, të mos kemi njerëz të paidentifikuar që kalojnë nëpërmjet territorit shqiptar.
Merepeza siguroi se autoritetet shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me ndërkombëtarët për të monitoruar çdo lëvizje.