Në 2023 janë asgjësuar rreth 300 mijë bimë narkotike, një pjesë e tyre në fazën e mbjelljes në kubikë. Referuar të dhënave të bëra publike nga Policia e Shtetit, uniformat blu kanë kryer 184 mijë kontrolle, me mbi 346 mijë orë shërbimi të strukturave të saj.
“Janë 662 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike, nga të cilat 549 janë raste kultivimi e 113 procedime proaktive, duka asgjësuar pothuajse 300 mijë bimë narkotike në zonat më problematike të vendit. Policia e Shtetit ka siguruar rreth 5900 informacione për mbjelljen e fidanëve dhe kultivimin e kanabisit në sera diellore, apo magazina, etj. Janë kryer 184 mijë kontrolle dhe janë mbi 346 mijë orë shërbimi të strukturave të Policisë së Shtetit. Pa dyshim, teknologjia, është ajo që ka shërbyer më së miri, jo vetëm pjesa që lidhet me kontrollin ajror nga Guardia di Finanza, e cila qëndron në thelbin e suksesit, por edhe përdorimi i dronëve. Vitin e ardhshëm ne do të kemi mundësi të bëjmë edhe fotografimet, qoftë me satelit, por qoftë edhe me dronët “Bayraktar”, në mënyrë që të gjitha këto të rrisim sa më shumë kontrollin e të gjithë territorit. Guardia di Finanza, me flotën e saj ajrore por edhe me sistemet dhe teknologjinë e fundit ka qenë prezentë, dhe janë plot 185 orë fluturimi deri më tani, të cilat na kanë dërguar 78 raporte monitorimi Policisë së Shtetit, dhe identifikuar e asgjësuar, përmes kësaj pune të shkëlqyer, plot 107.462 bimë narkotike”, tha Balla.
Në takimin e përbashkët mes Policisë së Shteti dhe Policisë Italiane, ku mori pjesë Amasadori italian Bucci, drejtues të misionit të Guardia di Finanza-s, zyrtarët më të lartë të Policisë së Shtetit, ministri Balla tha se lufta kundër drogës mbetet prioritet dhe angazhim kryesor i strukturave të rendit.
“Që nga dita ime e parë në këtë detyrë, kam ngritur shqetësimin se kultivimi i kanabisit është lidhur ndër vite, edhe me përfshirjen e ndonjë punonjësi të Policisë së Shtetit, ndoshta qoftë edhe me një mbyllje sysh, apo me një mosreagim. Koha dhe rezultatet më kanë dhënë të drejtë”, nënvizoi Balla, duke vënë theksin te vetëpastrimi i Policisë si proces që rrit besimin e qytetarëve.
Më tej, ai u shpreh se ka një rritje të nivelit të besueshmërisë dhe të bashkëpunimit mes policisë italiane dhe policisë shqiptare, duke nënvizuar se “Italia, mbetet partneri ynë strategjik, me të cilin kemi një histori të konsoliduar bashkëpunimi”.
“Nuk është e rastësishme, theksoi Balla, që ndër 16 operacione ndërkombëtare që zhvillon aktualisht policia italiane, jashtë Italisë, 14 prej tyre janë me Policinë Shqiptare”.
/a.r