Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të mërkurën më 13 dhjetor vendimarrjen e një dite më parë për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-prokurorit të Tiranës, Dritan Gina.
Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Albana Shyllën, Ina Ramën e Sokol Çomon, pas shqyrtimit të ankimit të Ginës ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK.
Komisioni vendosi më 22 shtator 2021 të shkarkojë nga detyra prokurorin e Tiranës, Dritan Gina, pasi konkludoi se me sjelljen e tij gjatë procesit të rivlerësimit subjekti cënoi besimin e publikut tek drejtësia, si dhe ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë.
Dritan Gina përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Lushnjës. Më pas, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Durrësit, si drejtues i komanduar i Prokurorisë së Elbasanit dhe prokuror në Tiranë.
Në maj 2018, Dritan Gina dhe bashkëshortja e tij, Rovena Gashi u pezulluan nga detyra nga kryeprokurorja e kohës, Arta Marku, pasi Prokuroria e Durrësit i procedoi ata për veprën penale të fshehjes së pasurisë.
Bashkëshortët Gashi dhe Gina e kontestuan në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Markut, por kërkesa e tyre nuk u mor parasysh. Ndërsa procedimi penal u mbyll pa rezultate. Edhe bashkëshortja Gashi u shkarkua nga vetingu për “deklarim të pamjaftueshëm” të pasurisë./m.j