Nga Armir Shkurti
Në foto është kalorësi El Cid. Të vdekur e hipën mbi kalë dhe e lëshuan jashtë kalasë e nga pas, të frymëzuar nga prijësi që pandehnin të gjallë, e ndoqën ushtarët.
Hidhur më vjen të them se kjo metaforë më rri kallëp për Doktorin. Një kufomë politike që prin mbi kalë popullin opozitar, popull që e adhuron si Shën Gjergjin që vrau dragonin e që po si ai shenjt, shpresojnë ti heqë kokën kuçedrës së pushtetit.
* Mes Don Kishotit dhe Ushtarit të mirë Shvejk.
Një cipë e hollë si e qepës ndan një tragjedi nga një komedi. Epik do të kish qenë një Berishë i plagosur, makar edhe i vrarë, si kalorësi El Cid, që u prin me pallë zhveshur opozitarëve të munduar në një dekadë të gjatë. Por kundër kujt? Përballë s’ka asnjë ushtri. Asnjë kalorës. Asnjë batalion. Të gjithë janë përmbi. Siç luajnë fëmijët me një karkalec zënë nën një kavanoz, ashtu mbi El Cidin tonë po lozin dhe argëtohen disa. Duke nisur që nga zyrtarë me emër në SHBA e duke mbaruar tek ca O.P.GJ në Tiranë, pa shumë famë e lavdi. Brenda kavanozit vlojnë me tërbim edhe mijëra besimtarë të Doktorit. Po po! Ca e kanë fe këtë punë. Por pa e vrarë shumë mendjen nëse ai mbi kalë është Shën Gjergji, El Cid i vdekur apo Don Kishoti kundër mullinjve?
■ Po ta nis me Lulin. Siç një çupë llasticë provon në këmbë njëzet këpucë para se të blejë një palë, Lulin na e bëre të provojë mender me bythë gjithë kolltuqet e rëndësishëm të pushtetit, për ti lëshuar në fund edhe tëndin, të kryetarit të partisë. Bëje sehir e hajgare sa herë Luli ngulte më thellë hanxharin e sa herë çante më egër PD – në. ” PD e ka kryetarin”! – na qeshje edhe kur Luli deklaronte fitoren në disfatën e ’21- shit dhe na e konfirmove si kryetar edhe pas ca javësh, kur ( si ti në këtë 2 dhjetor ) Basha “shkërrmoqi” një farë Gjergj Hani me një rezultat pak më të dobët se tëndin: veç 90%!
U zgjata, Doktor! Atëherë po përqëndrohem vetëm tek ato që unë i gjykoj si një punë e zënë gabim që nga themeli: Kjo e rikthimit.
● //Strategjia// Më 8 janar ’22 demokratë të besimit berishist u mblodhën tek selia e PD , brenda së cilës qenë mbledhur demokratë të besimit bashist. Ndër dhjetra skenare e taktika që mund të përdorje, Doktor, vure në jetë vetëm atë që presin të gjithë nga ty: dhunë, varé, qysqi, sëpata, hunj, cfurqe…. Pse? – pyeta veten. Përgjigjen vazhdon e ma jep me këmbëngulje TI, doktor! Të vetmen detyrë që ka Shqipëria në botë, është të rrijë urtë. Quhet STABILITET. Kush e siguron këtë stabilitet, mbetet në fron sa të dojë. Kush e trazon stabilitetin ka gjasa të thirret nga fuqitë e mëdha e të bëhet faktor. Mbase edhe ta marrë pushtetin. Tymi në javët e fundit në Kuvend ma dënd me shembuj teorinë time që JU , Doktor, në çastet më pisk të jetës suaj, po u thoni atyre që ju shohin mbi qelqin e kavanozit: “Mos e kruani me mua se unë ju vë zjarrin! E destabilizoj…..” Halli është se ata që të kanë zënë nën kavanoz ta dinë takatin dhe hapin
●//taktika// E di atë barcoletën doktor? Mori një mësues një karkalec dhe i këputi këmbët e para. Përplasi pëllëmbën mbi tryezë dhe karkaleci kërceu. Pastaj i këputi krahët, përplasi pëllëmbën e sërish karkaleci u hodh përpjetë. Në fund i këputi këmbët e pasme e, sado që përplasi duart, insekti s’lojti më.
– Ç’mësojmë nga ky eksperiment? – pyeti nxënësit
– Mësojmë se, kur karkalecit i këpusim këmbët e pasme, ai s’dëgjon më nga veshët!
Nga eksperimenti i “burrave mbi kavanoz”, Doktor, kuptojmë se sa herë të prekin ty, personalisht a të tutë në familje, ti kërcen sa më fort e lart të mundësh, duke mobilizuar edhe armatën e të dëshpëruarve. Çuditërisht, kur prekemi NE ti nuk dëgjon nga veshët!!
● // njerëzit// Një nga arsyet pse lufta bëhet në sallën e kuvendit besoj se është edhe çështja e “ushtarëve”. E futa në thonjëz ” ushtar”, sepse para 33 vitesh neve ishim një ushtri gjigande, e etur për liri dhe demokraci, e vendosur për varrosjen një herë e mirë të diktaturës. TI na dëshmove, Doktor, se ke tmerr nga njerëzit e lirë. TI mundesh të bësh përpara veç me mercenarë. Me doemos robi nën ty duhet të ketë vese apo të jetë i përlyer në punë të ndyra, me qëllim që ti kesh në dorë e ti luash si të të dojë qejfi. Kështuqë e kapitullove ushtrinë tonë për ta zëvendësuar me armatën tënde të mercenarëve. Ama po e bëre shurrën në det kripa ta sjell në gjellë. Edhe pse sot ke po aq popull sa në ’90 -ën kundër tiranisë dhe varfërimit të një pushteti monist dhe antishqiptar, tek TY nuk besojmë më! Jo thjesht se na ke prerë mëse një herë në besë e na ke lënë vetëm, por se tani as KAUZA personale nuk gudulis më njeri e as mercenarët nuk ndezin kurrëfar besimi!
● //kauza// Pate, Doktor, në plot 2 vjet, kohë për të ngritur një kauzë për të qenë. Jo “krimi”, “hajdutët”, “djegësat”, “Rama ik” e të tjera si këto. Duhej ( ende është doemosdoshmëri! ) një platformë politike serioze. Tranzicioni është një deformim i përbindshëm i sistemit. Do të kish pas mjaftuar vetëm parimet e ekonomisë së tregut të lirë , liritë themelore të njeriut dhe rikthimi i pluralizmit politik, në një platformë serioze, të qartë dhe të zbatueshme, që sot të kishim një lëvizje opozitare prej vërteti, masive dhe serioze…. Por kjo lëvizje do të kish pas shkuar shumë larg objektivit tënd, Doktor, të mbrojtjes së vetvetes dhe familjes. S’është çudi edhe të të kish jashtëqitur fare prej vetes
● //strukturat// Me po ata mercenarë që çove demokratët në opozitë e më pas që i aktivizoi Luli për ta çuar PD nga disfata në katastrofë, ti po bën “revolucionin” , Doktor!
Jo në 10 vjet, por të paktën në 2 vitet e fundit ti nuk arrite të krijosh udhëheqje të re të PD dhe të projektosh pasardhësin. Ky, Doktor, nuk është gabim! Është krim!!! Kur dilje ato fillimet e foltores, krejt i vetëm, me çunakë e vasha të reja nga pas për dekor, na e bëre të qartë: UNË! UNË! UNË!! dhe “Après moi le déluge”!!( pas meje u bëftë qameti )
Pa program, pa platformë, pa udhëheqje, pa ide apo ideologji, bylyku i të mjerëve, i të pashpresëve si dhe ai i batakçilerëve që presin të “kapin nai gjo”, duke shitur njëri – tjetrin, kauzat dhe idealet, shtyjnë ditët me ty, brenda kavanozit ku të kanë futur dhe lozin me ty, o zoti Sali Berisha! E bëre më ndyrë se Luli atë që bënte Luli o Doktor! Ke dy vjet që i ngop opozitarët me lugë të zbrazët o Sali! Ndyshe nga Luli, duke i tërhequr si gomarin me karrotë, me premtime dhe mirazhe revolucionesh.
Këto , mendoj, janë ca nga gabimet që ende vazhdon ti bësh edhe këto çaste që unë po të shkruaj. E hidhur është, ama sot ti je dëm shumë më i madh për Shqipërinë seç ke qenë ndonjëherë në 79 vitet e jetës tënde!!
(Marrë nga faqja personale ne Facebook)