Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, tha se SPAK është bërë ‘aktori surprizë’ në mes të elitës politike, i cili ka lënë pa gjumë dhjetëra politikanë. Ky koment erdhi teksa po diskutohej për kërkesën që prokuroria paraqiti në Kuvend për Sali Berishën.
“Kemi qenë skeptik sepse 30 vite imunitet i pa sfiduar i politikanëve kryesorë të këtij vendi na ka bërë që të jemi skeptik. Kemi tre dekada që presim dora dorës, që kjo elitë politike të fillonte në rotacionin fiziologjik të karrierave politike çka nuk ka ndodhur. Kanë ardhur drama pas dramash, keqqeverisje, akuza për korrupsion, procese të lëna përgjysmë dhe e munguar ka qenë gjithmonë drejtësia.
Dhe në këtë mënyrë kemi pasur një skepticizëm të shpjegueshëm sepse mund t’i ketë bërë edhe mirë SPAK-ut ajo pikëpyetje e madhe që opinioni publik filloi të vendosë rreth raportit të tij me Berishën duke na kujtuar kohëra të vjetra kur Berisha sfidonte prokurorin ose gjykatësin e radhës ose thjesht nuk paraqitej ose nuk i bindej procedurës.
Me këtë akt të sotëm, i cili formalisht ka pritur edhe vendimin e Apelit në lidhje me reklamimin që kanë bërë avokatët e Berishës, SPAK rivendos vetveten në mesin e zhvillimeve në këtë vend, është një aktor tashmë i konfirmuar në fushën e lojës, aktori surprizë në mes të elitës tonë politike, i cili në këto orë po riformaton shumë karriera politike, po vë në pikëpyetje shumë plane në të gjitha kampet dhe ka lënë pa gjumë disa dhjetëra politikanë dhe zyrtarë.
Ndër të tjera po i bën më të vështira edhe firmat në administratën publike çka mund të jetë një gjë e keqe por ndoshta edhe një gjë e mirë. Firmat që duhen vënë duhen vënë por para se të vendosësh një firmë duhet të mendohesh disa herë dhe ajo që po ndodh në SPAK në këto orë po na e jep këtë mesazh.”, u shpreh Minxhozi.
/f.s