Prokurorët gjermanë kanë akuzuar 27 ekstremistë të dyshuar të ekstremit të djathtë për planifikimin e një grushti të dhunshëm.
27 ekstremistë të dyshuar si anëtarë të lëvizjes së ekstremit të djathtë, Reichsbürger (Qytetarët e Rajhut), janë akuzuar nga autoritetet gjermane për planifikimin e një grushti të dhunshëm shteti.
“Anëtarët e grupit kundërshtuan me forcë institucionet shtetërore dhe rendin e lirë kushtetues demokratik”, thuhet në aktakuzën e drejtësisë gjermane.
Prokurorët akuzojnë 27 personat, që janë kryesisht bashkëpunëtorë të Heinrich XIII Princit Reuss (një figurë e Reichsbürger nga një familje aristokrate), për planifikim të përmbysjes së sistemit politik demokratik të Gjermanisë.
Grupi është zbuluar se ka bërë përgatitje konkrete për një grusht shteti që nga vera e vitit 2021, ndërsa inteligjenca gjermane ka arritur të zbulojë rreth 23,000 ndjekës të lëvizjes Reichsbürger në mbarë vendin.
Plani konsistonte në marrjen e pushtetit duke pushtuar Bundestagun, me një grup të vogël personeli të armatosur. Sulmi do të niste pas marrjes së një sinjali, siç ishte vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II.
Komplotuesit e supozuar kishin përcaktuar tashmë se si do të funksiononte shteti i tyre i ri pas grushtit të shtetit, me Princi Reuss që do të shpallej prijës i shtetit.
Princi Reuss madje është përpjekur të takonte përfaqësuesit e qeverisë ruse për të fituar mbështetje për grushtin e shtetit, ndërsa pas marrjes së detyrës, ai do të negocionte një traktat paqeje me fuqitë aleate që fituan Luftën e Dytë Botërore.
Birgit Malsack-Winkemann, në atë kohë një anëtare e Bundestagut për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, do të merrte postin e ministres së Drejtësisë. Prokurorët thanë se ajo shfrytëzoi postin duke ju dhënë akses në ndërtesat parlamentare bashkëpunëtorëve të tjerë.
Grupi rebel po ashtu dyshohet se ka tentuar të rekrutojë ushtarë dhe oficerë policie, ndërsa kishin hartuar listat e armiqve që do godisnin sapo të merrni pushtetin. Ata madje kishin në zotërim rreth 380 armë zjarri dhe 148,000 fishekë.
Anëtarët ishin të vetëdijshëm se planet e tyre do të çonin në vrasjen e njerëzve të pafajshëm dhe u detyruan të nënshkruanin një deklaratë fshehtësie, që parashikonte se tradhtarët do të ekzekutoheshin.
/a.r